Albin, trego pak lidership, jo veç gojështhurje politike!

Prishtinë | 11 Dhj 2022 | 14:25 | Nga Adil Behramaj

Goran Rakiqi, ai që si ministër i yti t’i organizonte kamionët e barrikadave në veri, të cilin si kryeministër nuk guxoje as ta shkarkoje, deri sa u largua vetë, sërish është në krye të organizimit.

Ti, Albin Kurti, e pate emëruar ministër atë, jo qeveritë e kaluara. Kur t’i organizonte kamionët e barrikadave në veri e arsyetoje, duke deklaruar se me prezencën e tij po përkujdeset për mbajtjen e gjendjes nën kontroll.

Radojçiqin ju e amnistuat kur erdhët në pushtet, duke ia hequr edhe fletën e arrestit. Vjosa Osmanin e bëre presidente me ndihmën e Radojçiqit e Rakiqit, të cilët ua siguruan kuorumin me “bishtat” e tyre.

Ndërsa, fshehtë, vazhdimisht ke emëruar zëvendësministra njerëz të Listës Serbe.

Tihomir Dimiqin e bëre zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, i cili ishte anëtar i strukturave paralele të Fushë Kosovës me vendim të Qeverisë së Serbisë. Pastaj, Ksenija Bozhoviqin e bëre zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë, e cila pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, zyrtarisht u bashkua me Listën Serbe.

“Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje!”, kështu e justifikoje mungesën e guximit tënd për ta shkarkuar Rakiqin. Por, çështje t’u bë budallallëku yt. Paaftësia jote.

Çështje t’u bë marrëveshja e targave për të cilën na prishe me gjysmën e botës dhe në fund, pasi që e katranose çështjen dhe prodhove dëme të njëpasnjëshme, u ktheve dhe e pranove të njëjtën marrëveshje.

Tash merr përgjegjësi dhe mos u sill si opozitar i pashpresë. Trego pak lidership, jo veç gojështhurje politike!

Të ngjashme