Albright e quan gabim të madh krijimin e shteteve etnikisht të pastra

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 18:07 | Nga

Ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një nga mbështetëset më të mëdha të shtetit të Kosovës, Madeleine Albright, ka folur në një intervistë për median spanjolle ‘Elmundo.es’ pas publikimi të librit të saj në të cilin flet për fashizmin si mënyrë për të arritur pushtetin dhe ndarjen e shoqërive.

Mediumi spanjoll, në hyrje të shkrimit, ka folur për ndërlidhjen që Albright ka me shtetin e Kosovës.

“Promotore e bombardimeve të NATO-së”, kështu është cilësuar Madeleine Albright nga ‘Elmundo’.

Në këtë intervistë ajo ka folur edhe rastin e Katalunisë, duke thënë se ajo çfarë po ndodh ndërmjet Spanjës dhe Katalunisë, është diçka që është parë me shpërbërjen Jugosllavisë.

Albright teksa ka folur edhe për ndarjen e shteteve në vija etnike, ka thënë se një gjë e tillë është një gabim shumë i madh.

“Ideja për krijimin e shteteve me popullsi homogjene është gabim. Është një gabim dhe unë insistoj në këtë”, ka thënë Albright.

Sipas saj shoqëritë multietnike janë më të qëndrueshme.

Këto deklarata të Albright vijnë në një kohë kur në Kosovë po diskutohet ideja për lëvizje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkimit të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.

Një nismë e tillë është cilësuar si tentim për të krijuar shtetet etnikisht të pastra, dhe është kundërshtuar ashpër nga perëndimi dhe shumë ish-diplomatë të Bashkimit Evropian.

Edhe Komisionerja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të arrihet një marrëveshje e cila si rezultat nuk do të ketë krijimin e dy shteteve etnikisht të pastra.

“Çfarëdo që të jetë rezultati i një marrëveshjeje të ndërsjellë, do ta ketë mbështetjen tonë, me kusht që ajo të jetë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, the ligjet e Bashkimit Evropian. Ju e dini historinë e Evropës. Ajo është e mbështetur në tejkalimin dhe parandalimin e çdo ideje për shtete etnikisht të pastra” kishte deklaruara Mogherini ditë më parë.

Kujtojmë që shteti Spanjoll vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Republikës së Kosovës e frikësuar nga iniciativa e Katalunisë që të ndahet nga Spanja dhe të kërkojë njësoj pavarësinë sikurse Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme