Albulena Haxhiu konfirmon se ka anuluar vizitën në ShBA, por mohon se iu refuzua viza

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se bashkë me zyrtarë të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë kanë konsideruar se vizita e saj në Amerikë, e planifikuar të zhvillohet në dhjetor, duhet të shtyhet.

Ajo tha se deri tek ky vendim erdhi duke marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, duke thënë se lajmet për refuzim vize janë të pavërteta.

“Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me vizitën, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta”, ka shkruar Haxhiu.

Më tej, ajo tha se vizita do të realizohet dhe për datat, qytetarët do të njoftohen me kohë.

Në lidhje me anulimin e vizitës në ShBA e cila ishte planifikuar në dhjetor të këtij viti, ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili në një bisedë të sotme më gazetarë tha se “nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA-së të lëshonte viza për një ministër të Qeverisë së Kosovës”.

“S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”, ka thënë Hovenier”.

“Është një çështje tjetër e ndarë prej kësaj nga udhëtimi për në ShBA për takime zyrtare. Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier, shkruan Reporteri, transmeton Klankosova.tv.

Në lidhje me vizitën e Haxhiut në Amerikë ka reaguar edhe shefi i kabinetit të saj, Genc Nimoni, i cili tha se lajmet për refuzim vize ndaj Haxhiut janë të pavërteta.

“Disa media, kanë drejtuar pyetje dhe po raportojnë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka refuzuar vizën për Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe është anuluar vizita në ShBA. Një lajm i tillë përveç se është i pavërtetë dhe shpifës, është tendencioz dhe ka për qëllim shpërndarjen e informatave të pavërteta për zyrtaret e lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nimoni.

Të ngjashme