Alija: Institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për viktimat e dhunës seksuale

Prishtinë | 06 Maj 2024 | 21:36 | Nga Ekonomia Online

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për viktimat e dhunës seksuale.

I ftuar në emision “Tempus” në KTV, Alija tha se se që nga përfundimi i luftës e deri më tani janë bërë 10 aktakuza për dhunë seksuale si krime lufte.

Ai tha se gjatë vitit të kaluar janë ngritur gjashtë aktakuza për dhunë seksuale gjatë luftës dhe se sipas informacioneve të tij, katër persona janë në paraburgim.Që nga përfundimi i luftës deri më tani janë ngritur diku 10 aktakuza për dhunë seksuale si krime të luftës, por vetëm në vitin e kaluar janë ngritur gjashtë aktakuza ku katër prej tyre janë sa e di ndaj personave të cilët gjenden tanimë edhe në paraburgim. Deri më tani në Kosovë është dënuar vetëm një person për krime e luftës nga gjyqësori vendor por po ashtu këto raste janë trajtuar edhe pranë Tribunalit Penal në ish-Jugosllavi ku shumë pak publiku ka informata që ky Tribunal i ka dënuar pesë eprorë serbë qoftë ushtarakë apo policorë për krimet të cilat i kanë bërë vartësit e tyre pra ato dhunimet të cilat kanë ndodhur ku sipas aktgjykimeve përnmendet Prishtina, Belegu, Qerezi. Pra, në këto tre vende kanë ndodhur akte apo janë dëgjuar disa, një numër i vogël i personave të dhunuar dhe është mirë që të dihet që ky tribunal e ka dokumentuar që në luftën e Kosovës ka ndodhur persekutim

seksual si krim kundër njerëzimit, pra ka qenë sistematik dhe i shpërndarë në disa qytete të Kosovës”, sqaroi ai.

Alija, gjithashtu theksoi se Fondi nuk ka kontakte të drejtëpërdrejta me viktimat e dhunës, pasi që sipas tij, Fondi iu ndihmon me trajnime të ndryshme institucioneve ligjzbatuese lidhur më këto raste.

“E dimë që Fondi nuk ka kontakte të drejtpërdejta me viktimat e dhunës seksuale për arsye se me këtë punë merren organizata e tjera të cilat sigurisht edhe i asistojnë edhe viktimat por edhe Komisionit, ne se si i ndihmojmë këtij procesi është qoftë përmes trajnimeve të ndryshme për prokurorë, gjyqtarë. Një herë kemi mbajtur trajnim edhe për hulumtimin e të dhënave të databazës për ku mund të gjenden materialet apo qoftë provat materiale të cilat mund të jenë si dëshmi mbështetëse”, sqaroi tutje Alija. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme