Me një ceremoni modeste në mjediset e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, atasheu ushtarak kolonel Jeffrey Fischer, në emër të ambasadorit amerikan në Kosovë, z. Greg Delavie, ndau nga një certifikatë – mirënjohje për katër ushtarakët e FSK-së, pjesë e ekipit të Njësisë Ndërlidhëse për Reagim ndaj Krizave, të cilët treguan gatishmëri, vetëmohim dhe profesionalizëm në ofrimin e ndihmës së parë mjekësore për disa qytetarë të lënduar si pasojë e aksidentit në komunikacion.
Me këtë rast, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane, atasheu ushtarak, kolonel Jeffrey Fischer, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ua dorëzuar mirënjohjet për shërbim të jashtëzakonshme majorit Ali Vishit, tetarëve Arban Rushiti, Alban Shyti si dhe ushtarit Predrag Maksimoviç, në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për punën dhe angazhimin e tyre në aksionin e ndërmarrë me vetiniciativë, në përgjigje të situatës- dhënie e ndihmës së parë në vend incident, theksoi që stafi i Ambasadës Amerikane edhe FSK-ja janë krenarë me aksionin e pjesëtarëve të FSK-së, si dhe theksoi se të gjithë këta janë duke punuar bashkë, çdo ditë e më shumë për një FSK edhe më të fuqishme dhe më profesionale.
Ndërsa, gjeneral major Gëzim Hazrolli, drejtor i Drejtorisë për Operacione, në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, duke iu drejtuar të dekoruarve, e vlerësoi lartë iniciativën e kolonelit Fischer, në emër të ambasadorit, për ta vlerësuar punën dhe angazhimin e pjesëtarëve tanë. Ky akt, tha gjeneral Hazrolli është edhe një dëshmi tjetër se mbështetjen dhe përkrahjen e partnerëve tanë jemi duke e vënë në jetë konkretisht. ,,Për me qenë hero nuk duhet që patjetër me ndodhë një emergjencë me përmasa të mëdha, nuk duhet që edhe me patjetër të ndodhë luftë, heronjtë janë edhe të paqes, dhe shpëtimi i një jete është gjithmonë një akt që duhet vlerësuar’’, tha gjeneral major Gëzim Hazrolli.
Me këtë rast, udhëheqësi i ekipit të FSK-së, major Ali Vishi, falënderoi Ambasadën Amerikane për vlerësimin si dhe paraqiti një ekspoze të aksionit, ku foli për gatishmërinë dhe vetëmohimin e pjesëtarëve të ekipit të tij në përgjigje të situatës së shkaktuar nga aksidenti ndërmjet veturave civile, në aksin rrugor Prishtinë – Ranillug, derisa ekipi i FSK-së ishte caktuar të marrë pjesë në takimin për siguri në Komunën e Ranillugut.
Gjithashtu, major Vishi e vlerësoi lart edhe angazhimin e Ambasadës Amerikane në kujdesin dhe mbështetjen me trajnime të pjesëtarëve të FSK-së, sidomos me trajnimet mjekësore, të cilat u vunë në jetë në rastin konkret.
Certifikata e mirënjohjes për katër pjesëtarët e FSK-së, të Njësisë për Reagim në Kriza, e dhuruar sot nga koloneli Fischer në emër të SHBA-ve, ka këtë motivacion: ,,Në shenjë mirënjohjeje për reagimin tuaj me vetiniciativë, në përgjigje të situatës nga aksidenti rrugor, Ju demonstruat përkushtim dhe profesionalizëm si pjesëtarë të Njësisë Ndërlidhëse për Reagim ndaj Krizave. Reagimi juaj reflekton sukses për ju, FSK-në dhe Kosovën në përgjithësi’’.