Ambasadori gjerman ia sqaron një punë Serbisë në lidhje me Rusinë

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb tha të enjten se Berlini dhe Brukseli presin që Serbia të bashkohet në vendosjen e sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë, sepse ajo është në rrugën drejt BE-së.

Serbia deri më tani ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë, por Schieb tha se kjo punë është e lidhur me anëtarësimin, përcjell Gazeta Express.

“BE është një komunitet vlerash. Ne kemi vlera të përbashkëta dhe një politikë të jashtme të përbashkët dhe çështja e anëtarësimit në sanksionet e BE-së është e lidhur me këtë”, tha ai në televizionin N1.

Sipas ambasadorit, Berlini është shumë i vetëdijshëm për faktin se Serbia varet nga Rusia për energji sikurse Gjermania, por theksoi edhe çështjen e “çlirimit nga varësia energjetike ruse”.

“Gjithçka është në duart e Serbisë. Procesi i eurointegrimit u krijua në mënyrë që vendet kandidate të zbatojnë reforma për të përshpejtuar përparimin e tyre drejt anëtarësimit. Gjermania e mbështet Serbinë në këtë rrugë”, tha ai.

Ambasadori gjerman theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë e determinon rrugën e Serbisë drejt BE-së ose jo.

“Sa më shpejt të përafrohet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, aq më shpejt Serbia do të përparojë në rrugën drejt BE-së dhe ne e mbështesim plotësisht atë Serbi”, tha ai.

Të ngjashme