Moska mund të marrë pjesë në procesin e dialogut për Kosovën, por vetëm nëse ka një interes dhe një ftesë nga Beogradi.
Kështu ka thënë ambasadori rus Alexander Bocan-Kharchenko, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, derisa i është përgjigjur pyetjes nëse duhet të ndryshohet formati i dialogut në mënyrë që të përfshihen drejtpërdrejt përfaqësues të Rusisë, SHBA-së dhe fuqive të tjera kryesore në të, përveç BE-së.
Ai shtoi se “deri më tani ne nuk i shohim të gjitha parakushtet dhe kushtet e nevojshme për negociata efektive”.
Siç ka thënë ambasadori rus në Serbi, “çështja e Kosovës duhet të trajtohet në mënyrë rigoroze në kornizën ligjore ndërkombëtare, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Ndërsa i pyetur nëse Moska do të mbështeste një zgjidhje me “korrigjim të kufijve”, nëse bien dakord të dy palët, ambasadori u përgjigj: “Për ne, nuk mund të ketë korrigjim të kufijve midis dy vendeve, sepse ne nuk e njohim Kosovën… Më në fund, ne do të mbështesim çdo mundësi të dakorduar midis Beogradit dhe Prishtinës. Vetëm një zgjidhje kompromisi mund të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”. /Telegrafi/