Ambasadorja Konrad: Gjermania kërkon nisjen e bisedimeve për Asociacionin

Prishtinë | 06 Jan 2023 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, deklaroi se Gjermania i merr seriozisht shqetësimet e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe se kërkon fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për Asociacionin e Komunave Serbe me kontributin konstruktiv të të gjitha palëve, shkruan Naslovi.

“Presim që themelimi i Asociacionit, për të cilin është rënë dakord në vitin 2013 dhe 2015, do të vihet në agjendën e dialogut të zhvilluar me ndërmjetësimin e BE-së”, citohet të ketë thënë Konrad për gazetën serbe Blic, duke shtuar se marrëveshja për formatin e Asociacionit është njëri nga qëllimet e atij dialogu.

Tutje bëhet e ditur se ambasadorja ka thënë që përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, “ka besimin dhe mbështetjen e Gjermanisë” dhe se “angazhimi i tij gjatë javëve të fundit, së bashku me partnerët evropianë dhe transatlantikë, ka kontribuar ndjeshëm në qetësimin e situatës”.

“Tani i takon Serbisë dhe Kosovës që të fillojnë një dialog që do të çojë në një normalizim të përhershëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka shtuar ajo.

Të ngjashme