Disa diplomatë ndërkombëtarë janë shokuar kur kanë dëgjuar se pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë edhe një amnisti për periudhën e luftës në Kosovë.
Burime diplomatike shumë kredibile i kanë thënë “Kohës Ditore” se një propozim të tillë e kanë dëgjuar nga zyrtarët në Prishtinë, dhe se ekziston një nivel i gatishmërisë në mesin e negociatorëve edhe në Kosovë, edhe në Serbi që një gjë e tillë edhe të realizohet.
Sipas burimeve diplomatike, një amnisti e tillë mendohet të vlejë për të dyja palët e përfshira në luftën e Kosovës, ndërsa si rezultat i saj do të mundë të jetë edhe zhbërja e Gjykatës Speciale.
Presidenca ka konfirmuar tërthorazi se mund të ketë amnisti. Qeveria dhe partitë në pushtet nuk kanë pranuar të komentojnë, ndërkaq opozita është kundër.
Presidenti Hashim Thaçi ka marrë komandën e dialogut me Serbinë, duke negociuar me emër të Kosovës për marrëveshjen finale me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në takimin e ftuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, janë diskutuar modalitetet e marrëveshjes finale, por të cilat nuk janë bërë publike.
Por në Presidencë ia kanë konfirmuar gazetës tërthorazi se amnistia mund të jetë pjesë e pakos së marrëveshjes. Por nuk kanë treguar nëse do të diskutohet edhe zhbërja e Gjykatës Speciale.