Kërkesat e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gjithëpërfshirje në dialog nuk e kanë zmbrapsur Lidhjen Demokratike të Kosovës në kundërshtimin e saj ndaj ekipit negociator. Zyrtarët e LDK-së thonë se kjo parti nuk do të përfshihet në dialog.
Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se pret që LDK-ja t’i ndërrojë qëndrimet karshi dialogut me Serbinë.
Ajo theksoi se edhe nëse nuk bëhet pjesë e dialogut LDK-ja do ta përkrahë marrëveshjen finale që mund të dalë nga kjo fazë e bisedimeve Kosovë – Serbi.
“Mendoj se LDK-ja do të lëvizë nga qëndrimet e saj, sidomos pas letrës së presidentit Trump dhe takimit me ambasadorin amerikan. Dhe pres që kjo parti edhe nëse nuk i bashkohet ekipit negociator, në fund të procesit mund ta votojë marrëveshjen që mund të prodhojë kjo fazë e dialogut. Kjo duke marrë parasysh se kjo parti ka votuar edhe Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve të vitit 2013”, është shprehur Haxholli.
Ajo gjithashtu ka shtuar se thirrjet për përfshirje të LDK-së në dialog nuk do të ndalen, pasi që, siç ka thënë ajo, delegacionit shtetëror i duhen votat e LDK-së për të miratuar marrëveshjet që mund të arrijë Kosova me Serbinë.
“Me siguri se kërkesat ndaj LDK-së nga bashkësia ndërkombëtare për ta përkrahur procesin e dialogut, si dhe marrëveshjen potenciale do të vazhdojnë pasi që koalicionit qeverisës, si dhe delegacionit shtetëror i duhen votat e LDK-së për të ratifikuar marrëveshjen potenciale të re e ndoshta edhe finale mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.
Edhe analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për “Zërin” se me ftesën e fundit që i është bërë LDK-së nga ambasadori amerikan që të përfshihet në dialog LDK-ja do të bëhet pjesë e tij.
“Besoj që nëse ambasadori Kosnett ka sugjeruar që Lidhja Demokratike e Kosovës të përfshihet në dialog, LDK-ja do të përfshihet dhe do ta ketë rolin e saj, pasi që Isa Mustafa si lider i LDK-së është deklaruar që nëse partia e tij përfshihet, atëherë do të ketë konfigurim të ri të ekipit negociator, edhe të procesit të dialogut, që nënkupton që LDK-ja ta ketë rolin e vet si udhëheqëse e dialogut”, potencoi Tahiri.
Sipas Tahirit, do të ishte e drejtë që LDK-ja të vendoste kushte për pjesëmarrjen e saj në dialog, si ajo e udhëheqjes së dialogut.
“Besoj që do të ishte kusht i drejtë që LDK-ja të vendoste kushte si ai i Isa Mustafës, që LDK-ja nuk i ngjitet ekipit, por e udhëheq ekipin dhe e plotëson platformën, pra kushte që e bëjnë këtë parti pjesëmarrëse kryesore”, ka thënë Tahiri.