Një fotografi e postuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq ku harta e Kosovës është e mbuluar me flamurin e Serbisë ka nxitur reagime të shumta në Kosovë e më gjerë.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Ibrahim Gashi thotë se Serbia sa herë i jepet rasti e sulmon shtetësinë e Kosovës.
“Është një provokim i radhës që vjen nga presidenti i Serbisë dhe udhëheqësia e lartë shtetërore e Serbisë në raport më shtetësinë e Kosovës. Ata nuk lënë asnjë rast t’iu kalojë pa e kundërshtuar pavarësinë e Kosovës në forma dhe mënyra të ndryshme”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ibrahim Gashi.
Njësoj mendon edhe profesori tjetër universitar Dorajet Imeri, i cili shton se problemet e brendshme politike në Kosovë po shkaktojnë vështirësi edhe në politikën e jashtme.
“Jo vetëm flamuri apo shkrimi, por gjithçka në atë postim të Vuçiqit në rastin më të mirë është një kërcënim, por në të njëjtën kohë kjo është edhe një ofensivë politike e Serbisë në raport me Kosovën”, deklaroi Dorajet Imeri, përcjell Telegrafi.
Ndërsa ish-ambasadori Bernard Nikaj nuk i konsideron risi deklaratat e Vuçiqit.
“Kjo më nuk është risi. Është një shpërfaqje e një pozicioni desktruktiv të Beogradit për gjithçka që lidhet me Kosovën dhe shtetësinë e pavarësinë e saj. Edhe në këtë rast ne duhet të koordinohemi me partnerët tonë strategjik që të vëmë në pah këtë destruktivitet të Serbisë”.
Reagime të shumta ndaj këtij postimi të Vuçiqit pati edhe nga kryeministri në detyrë, e liderë tjerë politikë vendorë