Analistët: Veseli ta reformojë partinë, ose të dorëhiqet

Prishtinë | 05 Jan 2018 | 17:34 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës pritet të mbajë Konventën e Përgjithshme në rrethanat kur ky subjekt ka shënuar një rënie në zgjedhjet e fundit. Analist politik konsiderojnë se pas shumë sfidave dhe humbjesh në zgjedhjet e fundit, ky subjekt ka nevojë për ndryshime. Bujar Cakolli, sekretar i degës së PDK-së së Prishtinës, thotë se energjia jonë pozitive për Republikën e Kosovës është e pashtershme, pres që ajo energji të fuqizohet edhe më shumë në Konventën Zgjedhore të PDK-së, dhe te marrim edhe me shume përgjegjësi për të ardhmen e vendit.

A do te bëjë apo jo reformë të brendshme PDK ashtu si paralajmëron kryetari i saj Veseli, për analistin politik Ramush Tahiri mbetet të shihet në çfarë drejtimi duke qenë se ai thotë se kjo behet jo me nxjerr njerëzit para përgjegjësisë por me rritë përformancën e qeverisjes së PDK.

“Veseli më herët ishte shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura të PDK di në zgjedhjet nacionale ashtu edhe në zgjedhjet komunale si dhe me koalicionin qeverisës dhe me kryeministrin Harafinaj nga AAK. Brenda partisë nuk ka zëra kritik dhe as kundërshti klanesh apo fraksionesh”, tha Tahiri për Kosova.info.

Analisti politik Blerim Burjani tha për Kosova.info se ndryshimet janë të pritshme ndoshta edhe në lidership.

“Ky subjekt është në një krizë permanente që një kohë të gjatë, duke kërkuar stabilitet të munguar, s’ka asnjë shpresë dhe pa ndryshime rrënjësore nuk do të ndodhin ndryshime politike”, tha Burjani për Kosova.info.

Sipas tij, ky subjekt ballafaqohet edhe me Gjykatën Speciale, edhe me njerëz problematik dhe pa ndonjë reformë të mirëfilltë, një subjekt politik qe deri tash ka punuar me servil e jo profesionist.

“Andaj ndryshimet janë të domosdoshme sa më parë në këtë subjekt politik që e ka lënë keq dhe pa reformuar ish lideri Thaçi”, tha ai.

Në gjykimin e Burjanit, kreu aktual Kadri Veseli ka dy opsione: ose të bëjë ndryshime rrënjësore ose të jep dorëheqje nga ky subjekt politik përkatësisht nga posti i liderit.

“Tash PDK nuk ka ndonjë figurë me rezervë karizmatike. Dy subjektet politike VV dhe PDK janë në një gjendje të rëndë por duket që VV të jetë në pozitë më të mirë ende prej krejt subjekteve politike. Tash ky vit do te sjelle ndryshime ne këto dy subjekte që janë në kolaps politik ose ndryshime dhe reformim ose shkapërderdhje”, tha Bujrjani.

PDK pret të marrin edhe më shumë përgjegjësi për vendin pas Konventës dhe nuk pritet ndonjë lëvizje tektonike.

Bujar Cakolli, sekretar i PDK-së Dega Prishtinë, tha se Partia Demokratike e Kosovës, qysh në muajin korrik të vitit 2107, në njërën nga mbledhjet e saja të Këshillit Drejtues kishte marr vendim për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

“Pra shpallja e zgjedhjeve partiake nuk është si rezultat i performancës në zgjedhjet lokale, por diçka që ishte planifikuar dhe vendosur më herët. Me anë të këtij procesi zgjedhor PDK synon një reformim të brendshëm qoftë në aspektin tekniko organizativ por edhe në atë përmbajtësor. Do të zgjidhen të gjitha organet drejtuese të partisë në të gjitha nivelet e organizimit të saj, pra edhe kryetari i partisë”, tha Cakolli për Kosova.info

Sipas Cakollit, Kadri Veseli gëzon një mbështetje të fuqishme tek strukturat, anëtarësia dhe elektorati i PDK, por gara për të parin e partisë do të jetë e hapur.

“Ne synojmë një proces zgjedhor transparent dhe konkurrues. Energjia jonë pozitive për Republikën e Kosovës është e pashtershme, pres që ajo energji të fuqizohet edhe më shumë në Konventën Zgjedhore të PDK-së, dhe marrë përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Pres më të mirën nga konstanta e shtetit tonë, e kjo konstant qeverisëse tashmë e konfirmuar edhe nga partnerët tanë ndërkombëtar por e pranuar edhe nga oponentët politik”, tha Cakolli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme