Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd ka thënë se roli i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi është mbështetës dhe lehtësues, por jo imponues apo i një arbitri, duke iu referuar presionit që po i bëhet Kosovës për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, që nga viti 2014, kur ndërmjetësuesi i parë BE-së në këtë dialog, Robert Cooper nuk e kishte më këtë rol, BE-ja e kishte shuar edhe Zyrën për zbatim të marrëveshjeve. Madje sipas tij, tashmë nuk ka as raportime, të cilat ndodhnin çdo gjashtë muaj ku mund të shiheshin faktet dhe argumentet lidhur përparimin ose vështirësitë e procesit.
Insistimin e Borrellit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Janjiq e sheh si përzierje në diçka që nuk i takon shefit të diplomacisë evropiane.
“Nuk është puna e tij që të vlerësojë se a është kërkesa e Beogradit e drejtë. Ai me siguri që nuk e di që grupi punues që duhet ta hartojë statutin (e Asociacionit), i cili grup përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe, kurrë nuk ia ka dorëzuar atë statut BE-së. Ky është një arsyetim i mirë për palën e Kosovës. Pra, ai (Borrell) është jokompetent për atë çështje, dhe në rregull, sepse nuk duhet të dijë gjithçka. Por, problemi është që ai që para tij e udhëheq dialogun (i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak) nuk e ‘ndriçon’ udhëheqësin e tij. Problemi i tyre është se ata nuk kanë pasqyrat e vërteta dhe as që iu intereson zhvillimi i dialogut”, ka thënë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Të martën, Borrelli u përplas publikisht me kryeministrin Albin Kurti, pasi ky u shpreh se Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Borrell u shpreh se Kosova ka nënshkruar marrëveshjen dhe se tash duhet ta implementojë atë.