Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) i përsëriti thirrjet për Iranin që të ofrojë “bashkëpunim në kohë dhe proaktiv” me inspektorët që janë pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Drejtori i agjencisë së Kombeve të Bashkuara, Yukiya Amano , i bëri këto komente nga Vjena, ku bordi i guvernatorëve të agjencisë nisi një takim katërditor.
“Bashkëpunimi në kohë dhe proaktiv nga Irani do të lehtësonte zbatimin e protokollit dhe do të rriste besimin”, tha Amano.
Takimi në Vjenë vjen në kohën e pasigurisë mbi fatin e marrëveshjes bërthamore, pas vendimit të SHBA-së për ta braktisur atë.
Me marrëveshjen e vitit 2015, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Republika Islamike është pajtuar të frenojë programin e saj bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja muajin e kaluar, duke thënë se Irani e ka shkelur “frymën” e saj.
Pesë nënshkrueset e tjera të marrëveshjes: Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania kanë thënë se mbeten të përkushtuara ndaj marrëveshjes.
Irani, tash për tash, është duke respektuar marrëveshjen po ashtu.