Angellovska-Bezhoska: Ekonomia e Maqedonisë është më e cenueshme, kemi varësi të lartë energjetike

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut pret që inflacioni të stabilizohet këtë vit, të ngadalësohet dhe të arrijë në 8 deri në 9 për qind.

Siç tha guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska, në këto kushte krize fokusi është në politikat makroekonomike, por shtytësi kryesor i rritjes janë reformat strukturore.

Vlerësimi i saj është se bota nuk është përballur me një krizë, por me disa kriza të njëpasnjëshme të përmasave të paprecedentë, të cilat zgjasin shumë dhe janë specifike në natyrën e tyre, ngadalësojnë rritjen dhe në të njëjtën kohë rrisin inflacionin.

“Në kushtet kur inflacioni përshpejtohet, hapësira e reagimit të mbajtësve të politikave makroekonomike është e kufizuar. Nuk ka pothuajse asnjë ekonomi në të cilën inflacioni nuk është përshpejtuar dhe nuk ka arritur nivele të larta historikisht, por ka dallime.

Sa më e hapur të jetë ekonomia ndaj tregtisë dhe sa më e varur nga importet, veçanërisht në sektorin e energjisë ku tani po ndodhin goditjet, ekonomi në të cilën pjesa e ushqimit dhe energjisë në shportën e konsumit është më e madhe, reagimi është më i theksuar.

Një shembull i kësaj është ekonomia e Maqedonisë së Veriut. Hapja jonë tregtare është dy herë më e lartë në krahasim me BE-në, kemi një varësi shumë më të lartë energjetike. Jo vetëm që jemi të varur nga importi, por mesatarisht përdorim dy deri në tre herë më shumë energji për të prodhuar një njësi të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo do të thotë se ne jemi shumë më të prekshëm. Pesha e ushqimit dhe energjisë në shportën e konsumit në vendin tonë është mbi 50 për qind, ndërsa në BE është 30 për qind. Kjo flet qartë për forcën e tronditjes që na prek neve”, nënvizoi Angellovska-Bezhoska

Të ngjashme