Anglia ka kaluar në çerekfinale të Kampionatit Botëror, aty ku do të takohet me Francën – pas eliminimit të Senegalit me rezultat 3-0.
Dy ekipet filluan takimin me kujdes të shtuar, duke ditur cilësitë e njëra tjetrës.
Rasti i parë serioz në ndeshje u zhvillua në minutën e 23-të, kur Ismaila Sarr mposhti portierin Jordan Pickford, por gjuajtja përfundoi jashtë.
Në minutën e 32-të, Boulaye Dia lëshoi një mundësi të artë, derisa Pickford bëri një pritje madhështore.
Gjashtë minuta më vonë, Anglia shënoi golin e parë në këtë takim, më anë të Jordan Henderson.
Për 2-0 u përkujdes Harry Kane (45+3’), për të shkuar në pushimin mes pjesëve me dy gola epërsi.
Në 45 minutat e dytë, Tre Luanët ishin edhe më dominues, duke shënuar golin e tretë të takimit.
Ishte minuta e 57-të, kur Phil Foden asistoi te Bukayo Saka, që realizoi për 3-0 për anglezët.
Deri në fund të takimit, Anglia pati mundësinë që të thellonte rezultatin, por u mungoi konkretizimi.
Në anën tjetër, Senegali bënte pasime të pashënjestruara, gjë që u shkaktoi edhe eliminimin.
Me kalimin në çerekfinale, Anglia do të përballet me kampionin në fuqi të Botës, Francën, një test tejet i vështirë për ta më 10 dhjetor.