“Anibari” me punëtori të animacionit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

“Anibari” përmes punëtorive të ndryshme të animacionit po vazhdon që t’ua mësojë të rinjve bazat e këtij profesioni. Por synimet e tij dallojnë nga njëra punëtori në tjetrën. Çdoherë prapa tyre si qëllim vjen edhe nxitja e aktivizmit dhe vetëdijesimi në lidhje me çështje të ndryshme që preokupojnë shoqërinë.

Kështu po ndodh edhe me dy punëtoritë e këtij muaji, të cilat kanë filluar në fund të javës që shkoi. “Thyerja e qetësisë” kështu janë titulluar punëtoritë në të cilat po punohet me teknikën e rotoskopisë dhe stop-motion. Në krye të 20-të pjesëmarrësve, që janë bërë pjesë e kësaj eksperience, është Joni Mithi, regjisor dhe filmbërës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Arlinda Kastrati, koordinatore e punëtorive të projektit “Breaking the silence” (Thyerja e qetësisë), ka thënë se përmes animacionit pjesëmarrësit po eksplorojnë mënyra kreative për të thyer heshtjen kundër çdo forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Sipas saj, me anë të punëtorive të organizuara dhe programit të edukimit, të cilin po e zhvillon “Anibari”, gjeneratat e reja po aftësohen në fushën e animacionit dhe po nxitet edukimi i një gjenerate të re animatorësh në vend. Kastrati ka bërë të ditur se punëtoritë në Pejë do të zgjasin deri më 10 dhjetor dhe prej tyre do të realizohen dy filma të shkurtër të animuar.

Dy punëtoritë, nën emrin “Breaking the silence”, janë organizuan nga “Anibar” dhe mbështeten nga UNDP. Organizata “Anibar”, e cila vepron në qytetin e Pejës, ka dhjetë vjet që organizon festivalin ndërkombëtar të animacionit “Anibar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme