Më 19 dhjetor në 19 komuna të Kosovës është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, pas raundit të parë të 22 tetorit.
Sot është bërë një muaj që kur ky proces ka përfunduar dhe një pjesë e personelit i angazhuar në mbarëvajtjen e procesit po ankohen se nuk i kanë marr mjetet që u takojnë, shkruan Indeksonline.
Këtë vonesë e ka sqaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se KQZ ka kryer punën e saj dhe se tani i mbetet Ministrisë së Financave të kryej obligimin e saj.
“Listat me emrat e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit (komisionerët) dhe të stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e raundit të dytë (në këtë rast edhe atij në QNR) janë dërguar në Ministrinë e Financave për t’iu transferuar mjetet. Kjo është bërë para festës së vitit të ri”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, mund të ndodhë që jo të gjithë t’i kenë marrë mjetet, kryesisht për shkak të gabimeve teknike me numrat e llogarive bankare.
“Në këto raste, ne kërkojmë që të bëhen përmirësimet në mënyrë që të dërgohen sërish”, ka theksuar Elezi.