Anulohet tenderi për ndërtimin e shkollave në kryeqytet

Tiranë | 27 Shk 2018 | 13:01 | Nga

Bashkia e Tiranës anuloi tenderin 12 milionë euro për ndërtimin e katër shkollave me koncesion në zonën Tirana Tre e njohur ndryshe si “Xhamlliku”.

Tenderi për ndërtimin e katër shkollave u zhvillua muajin e kaluar dhe në të u paraqit vetëm një ofertë.

Por komisioni i partneritetit publik-privat ka vendosur ta shpallë të pavlefshme me motivacionin se nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentat e tenderit.

Ndërtimi i katër shkollave në zonën Tirana Tre është pjesë e një projekti të madh, i cili parashikon ndërtimin dhe mirëmbajtjen e 17 shkollave me koncesion në kryeqytet me vlerë totale rreth 66 milionë euro.

Këto objekte do të ndërtohen me paratë e vetë kompanive private dhe më pas do të shlyhen me këste nga Bashkia e Tiranës për një periudhë 7-vjeçare.

Për të financuar koncesionin, prej dy vitesh bashkia ka vendosur një taksë të posaçme, e quajtur taksa e infrastrukturës arsimore. Taksa paguhet 1800 lekë në vit nga çdo familje, pavarësisht nëse ka apo jo fëmijë në shkollë, ndërsa për biznesin ajo varion nga 18 mijë deri në 30 mijë lekë në vit.

Dy javë më parë bashkia shpalli fituesin për 5 shkollat e para me koncesion, të cilat iu dhanë një konsorciumi të përbërë nga shoqëritë “Agi Kons”, “Met Engeneering” dhe “Zenit shpk” për një vlerë prej 12 milionë eurosh.

 

Të ngjashme