Apatia shqiptare!

Prishtinë | 25 Maj 2024 | 13:52 | Nga Kimete Berisha
  1. Të plogësht, të ngrirë, të mpirë, të ndrydhur.
    Nuk ju shqetëson më asgjë!
    Asnjë ngacmim.
  • Apatia e shqiptarëve…është diçka mes dembelisë, indiferencës dhe çmendurisë.
  1. Çfarë e shkakton apatinë?
    Depresioni, pakënaqësia, luftërat e gjata, dëshpërimi,…dhe ajo palumturia që nuk ka fund.
  2. Në tavolinën time është një kafe turke, një hurmë iraniane, libri ‘Wa’ i shkrimtarit kinez Mo Yan dhe një krizantemë falls.

As unë s’jam e shqetësuar.

  • Më thonë se do të bëhet luftë: nuk ndjej asgjë. Luftën e kam kryer.
  • Kam dëgjuar se do të më largojnë nga puna: nuk ndjej asgjë.
    Nuk e mbaj mend kohën kur nuk kam punuar.
  • I shoh kafshët që i humanizojnë dhe njerëzit që i dehumanizojnë – nuk ndjej asgjë.
  • Por, kur e shoh se askush prej jush nuk ndjen asgjë, filloj të ndjej diçka…, ndoshta pak pikëllim dhe pak mall…
  1. A thua a mund t’ju shqetësoj unë, që të shohim a shpiheni ju apo jeni mpirë përgjithmonë!
  • Pse juve nuk u lë përshtypje që ministresha e arsimit po ia heq Universitetit emrin e Hasan Prishtinës!
  • Pse kësaj qeverie i pengon Hasan Prishtina!

Le t’i pengon!
Hajt…nami s’bëhet, le t’ia heqin emrin!

  • Ata flasin bukur për heronjtë, por shiko veprat e tyre – lufta kundër heronjëve është agjendë e qeverisë Kurti! A është agjendë?
  • Pse asnjë shqiptar nuk u nervozua që Ansamblit të Valleve pushteti ia hoqi emrin ‘Shota’!
    Bile as që e ka përmendur kush!
  • Shota, pa një lule në varr…edhe ashtu s’ka qenë simbol i lumturisë, i delirit dhe i valleve – por i luftës dhe i vdekjes nga uria, në harresë.
  • Pse për shembull nuk mërziteni aspak që në shkollat fillore dhe të mesme pihet cigarja dhe droga, sidomos nga vajzat, dhe sidomos në shkollat e mjekësisë, e nuk gjendet ‘kush që t’u thotë ‘mosni’!
  • E po, krejt e kemi ‘pirë’ atë bërllok!
    Apo?
  • Nxënësit e pinë cigaren nëpër nevojtore.

Ministresha i ka droguar shkollat….komplet – me injorancën e saj.
Apo ndoshta është agjendë e saj! A është?

  • Dhe, trishtimi që s’ka shërim.
    S’ka më kollaj sa sa t’i njohësh njerëzit më të trishtuar:
    ata të gjithë janë me cigare në dorë, dhe ironia është që kurrë cigarja askujt nuk ia ka hequr mërzinë, përkundrazi tymi e shton mërzinë, se edhe është symbol i trishtimit.
  • Jam bërë tym.
  1. Por, ama ai fustani i kuq i asaj maturantes me gjarpër ngjyrë zgjyri, u bë ‘shqetësim’ popullor sepse është ‘preokupim’ qesharak.
  • Pra, ju jeni mpirë, dhe shpiheni veç nëse ka diçka për të qeshur!

Çfarë ka për të qeshur?
Humori në srrialin me burrat (aktorë profesionistë), me plisa të palarë që i rrahin gratë…

  • Apo, fotografia e Lumirit duke hëngër picë me Hovenierin – që duket sikur po i thotë Hovenieri këtij Lumirit: ‘çu se po të thërrasin ta lirosh parkingun’!
  1. Rrugët e Prishtinës janë mbushur me kunxha në vend të luleve, që kah të rrotullohet, i mbjell Përparim Rama, dhe askush nuk i nxjerr me rrënjë’…siç i nxjerrin pishat kur i vjedhin!
  • Ju kaloni indiferentë pranë kunxhave, edhe më kunxha se kunxhat.
  • Prishtina e Përparim Ramës u bë si pikturë me ndërtesa të vizatura, pa banorë.
  • Pse ka më shumë shtëpi se sa banorë…
    Pse shtëpi fantome kudo…!
  1. People talking without speaking,
    People hearing without listening,
    People writing songs that voices never shared,
    And no one dared disturb the sound of silence.
  2. Krimineli iku nga ‘burgu shtëpiak’, e kapërceu doganën, serbes, dhe pas 10 ditësh, pasi që u siguruan se krimineli u rehatua, policia, a muj’ u çove, e lypën ndihmën e qytetarëve: ‘more mos e keni parë…’.
  • Por, as kjo nuk ju shqetëson sepse, ei, …aman…kush m’i qan hallet e mia se….edhe ato i kam qitë e i kam lënë.
  1. Nana ime thotë se ‘kur e qet’ dhe e lë – tek atëherë bëhet mirë’.
  • Sigurisht se ky lloj sekreti i lumturisë nanore është dorëzim.
    Më mirë të dorëzohesh se sa ta shtysh bjeshkën me gjoks, i dështuar se i dështuar, së paku gjatë kohës që e shtyn bjeshkën me gjoks, e shikon një film!
  • Netflix im është i mbushur me qindra filma që i kam shikuar veç 1 minutë.
    Ka ardhur një kohë, që s’ke më me çka të mashtrohesh!
  1. S’besoj se u duket interesant as që Albin Kurti ka thënë se krejt bota (edhe shqiptarët) janë të frikësuar që Trump të bëhet president i Amerikës, se Trump i paparashikueshëm.
  • A jeni ju të frikësuar nga Trumpi?
  • Pse Albin Kurti ka nevojë ta shpreh frikën e tij për një president që e zgjedh populli i tij?
  • Çfarë sherri i kemi parë ne Trumpit, i cili bëri që Kosovën ta njeh Izraeli!
  • Albin Kurti sillet sikur do të jetë bosi dhe pronari përgjjthmonë!
  • E Albinit, pasi që i kryen aksionet në Veri, i shkojnë në zyre ushtria e NATO-s, ambasasorët e huaj dhe krejt bota, dhe i japin ‘këshilla’ që ata i quajnë ‘qortim’:
  • Të lusim, zbutu, nuk bën që të ndërhysh në Veri njëanshëm, tjera herë mos, mos pa na pyetur neve!
    ….dhe gjithmonë ndodh ‘një herë tjetër’.
  • Albin Kurtin po ‘e krijojnë’ si një individualitet, i pari që di t’i thotë perëndimit – Jo
    (kuptohet, me lejen e perëndimit kundër perëndimit).
  1. Vjosa Osmani e ka pranuar nga Mirela Kumbaro një gur të lumit Vjosa.
    Pritet që Mirela t’ia dhurojë edhe kopjen e librit ‘Osman Aga’.
  • Ndërsa, Vjosa i tha Mirelës ‘Kur m’u dogjën mullarët, njoha miqtë e kumbarët’.
  • Pasi që Mirela i jep dhuratat në bazë të kuptimit të emrit, asaj duhet dhuruar filmin ‘Kumbara’.
  • Ndërsa, Mirela është zonjë e rëndë (vet fakti se më ka thënë se më lexon mua), nëse vjen puna deri aty, si dhuratë mua mund të ma sjell ‘Berishën’.
  1. Nëse e zbërthejmë nga aspekti astrologjik:
  • Vjosa është Dem në horoskop (që do të thotë, simbol i Demit është Toka);
  • Albini është Dash (që do të thotë simbol i Zjarrit),
  • ndërsa Donika është Peshore (që do të thotë simbol i Ajrit).

Kështu: Zjarri (Albini) nuk ndizet pa Ajër (Donika).
Zjarri (Albini) djeg çdo gjë mbi Tokë (Vjosën).
Ajri (Donika) kur fryen era, i nxjerr me rrënjë sardanet e bahçes së Vjosës (Tokës) në lagjen e pasur të Marigonës së varfër.

(Autorja këto ‘dije’ zodiaku i ka përvetësuar në fëmijëri nga ‘Huper-i’ dhe është vet e katërta – dy herë Binjak, prandaj – as mos provo…).

  1. Një gjinekologe i ka treguar Resulit se vajzat shkojnë tek ajo ta kthejnë virgjërinë.
  • Kështu bëjnë vajzat sepse meshkujt kanë qejf të mashtrohen (veç të vërtetën nuk e duan), prandaj vajzat ua plotësojnë dëshirën.
  • Ju lumtë vajza. Kush ju ka mësuar kështu t’i bëni djemtë të lumtur kaq kollaj….

nuk ka zarar nga një mashtrim i bukur…
Veç vazhdoni…

  • Gati çdo dashuri nis me mashtrimin në themel, prandaj gjithë ky trishtim…
  1. Tek NEW BORN nuk e kam asnjë fotografi po mendoja derisa i shikoja maturantët duke u fotograguar para ‘tij’.
  • Vajzat në njërën anë, djemtë në anën tjetër, profat’ në mes.
  • Ne kemi qenë evropianë për këtë gjeneratë, asnjë foto e jona nuk na ka ndarë në gjini!
  • Kush po ju mëson që duhet të ndaheni ende kaq herët, në fotografi?
  1. Një hoxhë e kish postuar panon e tij me studente të teologjisë dhe i kish mbuluar sytë e tyre.
  • Domethënë shqiptarët kanë shkuar edhe një hap më larg se ekstremistët…
  • Nuk e kuptoj pse grave u mbyllen sytë në fotografi?
    Nëse ato s’do të kishin dashur t’u shihen sytë, nuk do të kishin dalë në fotografi!
  • Veç vazhdoni…!
  1. Kur perëndimit i lindi dëshira të na çlirojë, e kishte parasysh Ibrahim Rugovën, Teki Dërvishin, Ismail Kadarenë…profesorët e filologjikut dhe gazetarët…
    perëndimi kujtonin se ky popull është lirik dhe i emancipuar…
  • Dasma ishin orët letrare, atëbotë!
  • Pastaj, kur erdhi Liria, shqiptarët Lirinë e shfrytëzuan si basmë për t’i mbyllur sytë me të.
  • Prandaj, nuk e kuptoj pse ky vend i korruptuar, i prapambetur dhe ku secila shtëpi për së paku një anëtar të familjes është burg – u dashka të futet në BE.

Rri aty ku je!

Ose shko në Lindje, vëlla, se asgjë të keqe s’ka.
E keqja është të shtiresh si perëndimor e të jesh kundër kulturës perëndimore!

  1. Albin Kurti ka shprehur dëshirën e tij që ju ta çoni në zgjedhje të parakohshme!
  • Mos ia plotësoni dëshirën.
    Më ‘zi’ se që ka bërë – nuk bën për muajt e mbetur në qeveri.
  • Albin Kurti i fiton zgjedhjet, pa e lëvizur gishtin e vogël, me elegancë, së paku opozita s’ka nevojë t’i ndihmojë.
  • Nëse do zgjedhje të parakohshme, të dorëhiqet.
  • Albin Kurti ka qenë ‘ndryshe’ nga të gjithë kryeministrat para tij.
    A më mirë a më keq, dhe pse ndryshe, ju tregoj një ditë tjetër, nëse ka interesim.

P.S. Tani do të shkoja diku, kudo…
dhs nga kapaku i kresë t’i pastroja mendimet – si shaminë në lum…
Dhe, të pushoja nga çdo gjë…!

Të ngjashme