Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila të akuzuarin Shkumbin Sekiraqa e kishte dënuar me katër vjet e gjysmë burg për lëndim të lehtë truporë dhe armëmbajtje pa leje, kurse e kishte liruar nga akuza për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegji përbërë nga gjyqtarët Mentor Hajraj, kryetar i kolegjit, Arben Hoti- gjyqtar referues dhe Xhevdet Abazi, anëtar i kolegjit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë kishte paraqitur Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke propozuar që të aprovojë ankesën dhe të ndryshojë aktgjykimin e ankimuar apo të anulojë aktgjykimin e ankimuar dhe çështjen ta kthejë në rigjykim dhe vendim.
Ankesë ka paraqitur edhe mbrojtësi i Sekiraqës, avokati Naser Sopjani, duke propozuar që Apeli ta anulojë aktgjykimin e ankimuar dhe çështjen ta kthejë në rigjykim.
Ndërkaq, Prokuroria e Apelit përmes parashtesës ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, ndërkaq ajo e avokatit Sopjani të refuzohet si e pabazuar.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit:
Sipas Apelit, Prokuroria në ankesën e saj nuk ka precizuar se cila dispozitë është shkelur, e as kolegji nuk ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka marrë aktgjykimin në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale.
Apeli konstaton se shkalla e parë ka vepruar drejt kur Sekiraqën nuk e gjeti fajtor për veprën penale “Vrasje në tentativë por për “Lëndim të lehtë trupor”, e kjo bazuar në provat personale por edhe ato materiale.
Gjithnjë sipas Apelit, i Sekiraqa u gjet fajtor për “Lëndim të lehtë trupor” bazuar në ekspertizën mjekësore sa i përket natyrës së lëndimeve, ndërsa elementi i dashjes është provuar në bazë të rrethanave të rastit bazuar në prova, sepse i pandehuri nuk ka dashur realizimin e vrasjes edhe pse kishte mundësi reale për të vrarë të dëmtuarin.
Lidhur me vendimin e shkallës së parë për lirimin e tij nga akuza për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas Apelit, teoria e akuzës është parafrazim i dispozitës në fjalë pa e provuar me dëshmi të tjera se është shkaktuar rrezik i përgjithshëm.
Pra, në vendim thuhet se në rastet kur shtënia me armë është e izoluar dhe nuk është shkaktuar rrezik real dhe konkret për jetët e të tjerëve, nuk formësohen elementet e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, andaj kolegji konstatoi se gjykata e shkallës së parë drejt ka vepruar në lidhje me këtë vepër penale.
“Në lidhje me dënimin gjykata e shkallës së parë ka marrë në konsideratë rrethanat relevante, si ato lehtësuese si; mosha e re e të pandehurit dhe pranimin e fajësisë për pikën II të aktgjykimit dhe se nuk ka qenë i dënuar si person madhor, ashtu ato rënduese si intensitetin e rrezikimit apo dëmtimin e vlerës së mbrojtur, rrethanë kjo e paraparë me nenin 69 par.3 nënpar.3.3, duke shtuar kësaj shkallën e lartë të dashjes nga i pandehuri duke e lidhur në atë se pasi i pandehuri i ka shkaktuar lëndim nga e shtëna me armë, ka vazhduar duke e goditur me kondak të revoles”, thuhet në vendim.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 shkurt 2025, Shkumbin Sekiraqën e dënoi me dënik unik me 4 vjet e gjysmë burgim pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndim të lehtë trupor”, si dhe për armëmbajtje pa leje. Kurse, Muhedin Haliti u lirua nga akuza.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 gusht 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj Shkumbin Sekiraqës (djali i të tani të akuzuarit për vrasjen në Aktash, Salih Sekiraqa), i cili akuzohej për tentim vrasjen e Pajtim Gashit (vëllait të tani të ndjerit në rastin e Aktashit, Premtim Gashi).
Sipas aktakuzës, më 4 mars 2024, në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, derisa ishte duke lëvizur me veturë, pronë e të pandehurit Muhedin Haliti, Shkumbin Sekiraqa ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një automjet tjetër në atë rrugë. I pandehuri Sekiraqa për arsye të panjohura, me dashje dhe me qëllim që të privojë nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi, pas bisedës me NN personin, i vihen pas të dëmtuarit Gashi, dalin nga vetura dhe i drejtohet me fjalët “Paja shoq a po me njeh mu”.
Aktakuza thotë se më pas e sulmojnë fizikisht, në atë mënyrë që fillimisht Shkumbin Sekiraqa nxjerrë armën e zjarrit duke shtënë në drejtim të Gashit, e më pas e godet në kokë me kondak të armës, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe një plagë në këmbë të djathtë.
Aty thuhet se i dëmtuari Gashi, edhe pse ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri ka shtënë me armë në drejtim të tij.
Me këtë, Sekiraqa akuzohej se në bashkëkryerje me NN personin, ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, Sekiraqa me anë të përdorimit të armës në vend publik, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve. Kjo pasi derisa ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit Pajtim Gashi, ka rrezikuar personat e tjerë që ishin në rrugë.
Me këtë, Sekiraqa akuzohej se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.1 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë, i pandehuri Sekiraqa prej kohës së panjohur, ka mbajtur në posedim armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin për armët.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Kurse, Muhedin Haliti, thuhet se me dashje ndihmoi të pandehurin Shkumbin Sekiraqa, duke fshehur provën- veturën e cila ishte pronë e tij (Halitit), të cilën Sekiraqa e ka pasur në shfrytëzim në ditën kritike. Më tej, thuhet se as kryerjes së veprës penale nga Sekiraqa, i akuzuari Haliti, e ka fshehur veturën në garazhin e tij dhe kur ishte pyetur nga pjesëtarët e policisë, kishte deklaruar se e ka shitur.
Me këtë, Muhedin Haliti akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par. 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi