Gjykata e Apelit ka shqyrtuar ankesën e Prokurorisë së Shtetit dhe ankesën e përbashkët të avokatëve Durim Osmani dhe Feim Alaj si mbrojtës të të dënuarit Denis Çeman për shpëlarje të 115 mijë eurove.
Çeman është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe të njëjtin për shpëlarje të parave e ka dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Kundër këtij aktgjykimi ka bërë ankesë prokuroria për shkak të vendimit mbi sanksionin penal duke kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit të i shqiptohet dënim më i lartë.
Propozimin e tillë e ka mbështetur Prokuroria e Apelit me parashtresën e 9 shtatorit 2022, duke kërkuar nga Apeli që ankesa e prokurorisë të aprovohet dhe të njëjtit t’i shqiptohet dënim më i lartë me burg ndërsa, ankesa e mbrojtësve të refuzohet si e pabazuar.
Në anën tjetër, ankesa e avokatëve Osmani dhe Alaj është ushtuar kundër këtij aktgjykimi për të gjitha bazat ankimore.
Në këtë ankesë si shkelje esenciale avokatët kanë kontestuar edhe kompetencën lëndore të departamentit.
Avokati Osmani në këtë seancë propozoi që aktgjykimi të ndryshohet dhe i mbrojturi i tyre të lirohet ose lënda të prishet dhe rasti të kthehet në rivendosje.
Sipas avokatit Osmani nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale të shpëlarjes së parave madje thotë se në arsyetim askund nuk përmendet ndonjë vepër tjetër penal por vetëm thuhet ‘me aktivitet kriminal’.
Po ashtu ai tha se aktgjykimi është bazuar në disa prova materiale të kundërligjshme të cilat i kanë elaboruar në mënyrë të shkruar në ankesë.
Tutje, avokati Osmani tha se ky aktgjykim është në kundërshtim me vetveten dhe dispozitivi si i tillë është në kundërshtim me arsyetimin, duke propozuar që ankesa e tyre të aprovohet si e bazuar.
Denis Çeman, para kolegjit të Apelit të përbërë nga gjykatësja Afërdita Bytyqi (gjykatësja referuese), gjykatësi Vaton Dërguti (kryetar) dhe gjykatësi Nikola Kabashiq (anëtar) tha se mbetet pranë ankesës dhe deklarimeve të avokatit, duke shtuar se ai qysh nga fillimi ka thënë vetëm të vërtetën.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 tetor 2013 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Denis Çeman akuzohej se më 28 shkurt 2011, edhe pse e ka ditur se shuma e të hollave prej 115 mijë euro rrjedhë nga aktiviteti kriminal, me qëllim të fshehjes së tyre, i ka deponuar në xhirollogarinë e tij në Bankën “TEB” në Prishtinë. Në aktin akuzues thuhet se kur punëtorja e bankës ka kërkuar nga ai që ta plotësojë formularin për prejardhjen e të hollave, i njëjti ka refuzuar duke u larguar nga banka.
Tutje sipas aktakuzës, punëtorja e bankës e ka ftuar përmes telefonit që të bëjë nënshkrimin e deponimit të të hollave, për çka i pandehuri ka shkuar në bankë, e ka nënshkruar fletëdeponimin, e ka bërë tërheqjen e të hollave dhe është larguar nga banka.
Me këtë, Çeman akuzohej se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 32, paragrafi 2 lidhur me nënparagrafin 2.6, e dënueshme sipas paragrafit 2.8 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.