Apeli vërteton dënimin prej 2 vite e 3 muaj burgim ndaj zyrtarëve të Drejtorisë për Migrim dhe pjesëtarëve të FSK-së

Prishtinë | 06 Mar 2023 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj si dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Fadil Rexhepi, Maxhun Maloku, Razim Berisha dhe Enver Franca, duke vërtetuar aktgjykimin e Themelores, me të cilin të njëjtit ishin dënuar me 2 vite e 3 muaj burgim dhe 600 euro gjobë.

Gjykata Themelore në Ferizaj me 1 gusht 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj akuzuarve Maxhun Maloku, Fadil Rexhepi, Enver Franca, Remzi Bislimi dhe Razim Berisha, duke i dënuar me 2 vite e 3 muaj burgim.

Të njëjtit po akuzoheshin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar” Ushtrim ndikimi”, “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” si dhe “Falsifikim i dokumenteve” .

Ndaj këtij aktgjykimi, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte ushtruar ankesë lidhur me sanksionin penal të shqiptuar ndaj të akuzuarve, duke propozuar që ndaj të njëjtëve të shqiptohen dënime më të larta me burgim me të cilat do të arrihej qëllimi i dënimit i paraparë me ligj.

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë kanë ushtruar edhe mbrojtësit e të akuzuarve, duke propozuar që të njëjtit të lirohen nga akuza në mungesë të provave dhe fakteve apo të kthejë çështjen në rigjykim dhe rivendosje në shkallën e parë.

Ndërkaq, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 6 shkurt 2023 në kuptim të nenit 394 të KPPK, duke vlerësuar pretendimet ankimore nga ankesat e ushtruara, nga Prokuroria Themelore ne Ferizaj dhe ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime te Renda të datës 30 shtator 2022, ka gjetur se ankesat e tyre nuk janë të bazuara.

Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale të KPRK-së dhe se aktgjykimi është bazuar në prova të pranueshme ku janë zbatuar në masë të duhur të gjitha dispozitat përkatëse ligjore.

Sipas aktgjykimit të Apelit , kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesave së mbrojtësve së të akuzuarve, përkitazi me gjendjen faktike, dhe ka ardhur në përfundim se në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, pasi që janë vlerësuar deklaratat e secilit të akuzuar, secilit dëshmitar, si dhe të gjitha provat materiale nga shkesat e lëndës.

Kjo gjykatë ka ardhur në përfundim se secili i akuzuar ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, ngase me aktgjykimin e shkallës së parë janë vërtetuar elementet objektive dhe subjektive të secilës vepër penale pasi që janë vlerësuar të gjitha deklaratat personale dhe provat materiale dhe është vërtetuar se në veprimet e secilit të akuzuar janë formuluar veprat penale për të cilat ngarkoheshin.

Ndryshe, në këtë aktakuzë Mehdi Gjoshi dhe Fatime Sabedini, akuzoheshin se kishin ndërmarrë veprime të ndryshme në falsifikim të diplomave, mirëpo, ndaj Gjoshit dhe Sabedinit, në seancën e 20 tetorit 2020, gjykatësi Sahit Krasniqi ka bërë veçimin e procedurës, pasi të njëjtit kanë pranuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkoheshin në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas aktakuzës, i dënuari Maxhun Maloku akuzohej se më 9 dhe 30 tetor, 12 e 17 nëntor 2014 si dhe 2 dhe 20 shkurt 2015, në Ferizaj, si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, ka shpërdoruar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin.

Në akuzë thuhet se pasi që zyrtarët e kësaj drejtorie kanë planifikuar operacionin për kontrollin e disa restoranteve në territorin e Komunës së Ferizajt, ku organizohej muzikë në orë të vona të natës, i pandehuri përmes telefonit mobil e kishte njoftuar të pandehurin Enver Franca, i cili pastaj e kishte njoftuar të pandehurin Razim Berisha dhe të pandehurin Remzi Bislimi, në mënyrë që t’i largojnë punëtoret të cilat nuk kishin leje të punës dhe të qëndrimit në Republikën e Kosovës.

Me ç ‘rast, i pandehuri Remzi Bislimi thuhet se i kishte larguar vajzat nga restoranti në mënyrë që të mos zbulohen nga zyrtarët policorë të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, me qëllim që të shpëtojnë nga gjobat dhe dënimet administrative dhe të mos dëbohen nga territori i Kosovës.

Me këtë, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga nen 422, par.1 të Kodit Penal.

Maloku po ashtu akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit”, sepse sipas aktakuzës, më 13 nëntor 2014 si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar përfitim pasuror për vete nga personi Isa Sherifi, me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtarë në Drejtorinë për Migrim, në mënyrë që të mos dëbohet nga Kosova A.Sh.(femër), e cila kishte të shqiptuar masën e ndalimit për hyrje në Kosovë nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, por ishte hasur nga zyrtarët e drejtorisë duke punuar në restorantin “Kalaja ” pa leje pune. Kështu që ishte takuar me Enver Francën dhe Isa Sherifin në restorantin “Petrol Compani” në Fushë-Kosovë prej të cilëve ka kërkuar që t’ia lyejnë garazhin e veturës.

Maloku sipas dispozitivit III të kësaj aktakuze, po akuzohet se më 12 nëntor 2014, me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrje, kishte kërkuar nga i akuzuari tjetër Fadil Rexhepi, që të mos dënoheshin dhe të mos dëbohen nga territori i Kosovës, qytetaret e Republikës së Shqipërisë, të cilat ishin ndaluar nga policia dhe u ishin konfiskuar dokumentet e identifikimit, derisa ishin duke u kthyer nga restoranti “International Italia”, të cilin e menaxhonte i akuzuari Remzi Bislimi.

Me këtë, akuzohej se ka kryer në vazhdim veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga nen 431, par.1 të Kodit Penal.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Fadil Rexhepi, akuzohej se po ashtu se si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, më 12 nëntor 2014, ka keqpërdor detyrën zyrtare, pasi që me rastin e ndalimit të vajzave nga Shqipëria, të cilat punonin pa leje pune dhe pa leje qëndrimi nuk u kishte shqiptuar gjoba dhe masën e dëbimit nga territori i Republikës së Kosovës.

I njëjti, thuhet se më 21 nëntor 2014, si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të huaj ka keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror për personat e tjerë, në atë mënyrë që me rastin e ndalimit të A.K. (vajzë) e cila punonte pa leje qëndrimi në lokalin “Matriks M”, nuk e kishte dëbuar nga Kosova pasi që kishte ndikuar një i afërm i tij me emrin K.K.(burrë) i cili punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Po ashtu, i njëjti thuhet se më 22 nëntor 2014 si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj ka keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror për personat e tjerë, në atë mënyrë që me rastin e ndalimit të disa emigrantëve nga zyrtari policor, i pandehuri kishte urdhëruar lirimin e tyre pa i zbatuar procedurat e parapara me ligjin për të huajt në mënyrë që t’iu shqiptohen gjobat ose të dëbohen nga territori i Kosovës.

Me këtë, thuhet se në vazhdim kreu veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, Enver Franca, akuzohej se si pjesëtar i FSK-së, kishte kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, pasi që nga 8 nëntor deri më 18 dhjetor 2014, në qendrën e doktrinës dhe stërvitjes në Ferizaj, ka kërkuar shpërblim në para, që të ushtrojë ndikim tek anëtarët e komisionit për testim fizik të kandidatëve për kadetë të FSK-së, në atë mënyrë që kishte marrë 200 euro nga baxhanaku i tij, Osman Maxherra, që t’i ndihmojë Nehat dhe Zyhra Kuqit për ta kaluar testin fizik për kadetë të FSK-së.

Me këtë, thuhet se kreu veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga nen 431, par.1 të KPRK-së.

Ai po ashtu akuzohet se më 18 mars 2015, në qendrën e doktrinës dhe stërvitjes në Ferizaj kishte mbajtur në pronësi armën në kundërshtim me ligjin mbi armët një pistoletë të markës Zastava dhe një karikator me 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm si dhe 11 fishekë të kalibrit 7.62 mm, në atë mënyrë që me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit nga zyrtarët e IPK-së në zyrat e të pandehurit në FSK në kasafortën e të pandehurit Razim Berisha ishte gjetur revolja dhe 1 karikator me 7 fishekë, të kalibrit 7.62 mm, kurse në banesën e tij ishte gjetur edhe 11 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dhe një fishek i kalibrit 7.57 mm.

Me këtë, akuzohej se kreu veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të KPRK-së.

Po ashtu, i njëjti akuzohej se gjatë muajit janar 2015 i kishte premtuar se do t’i jepte shpërblim në të para personave zyrtarë, të akuzuarve Isak Smajli sekretar në shkollën e mesme – profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas dhe Rrahim Elshani profesor në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në Drenas, me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, që ta marrë një diplomë se e ka kryer shkollën e mesme, me qëllim që të avancohej në gradën e togerit në FSK.

Tutje thuhet se i njëjti kishte kontaktuar disa herë në telefon me të pandehurit si dhe kishte mbajtur disa takime në restorantin te Ura, në shkollën e mesme, mirëpo nuk kishte arritur që të sigurojë para në shumë prej 800 euro të cilat ishin kërkuar për sigurimin e diplomës.

Me këtë, akuzohej se kreu veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga nen 431, par.2 i KPRK-së.

Ndërkaq, Remzi Bislimi, si menaxher i restorantit “International Italia”, në fshatin Prelez i Jerlive, Komuna e Ferizajt, akuzohet se mes 8 deri 12 nëntorit 2014, i kishte premtuar shpërblim të akuzuarit Maxhun Maloku, që të ushtrojë ndikim tek personi tjetër zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, Fadil Rexhepi, që të mos dëboheshin valltaret nga Shqipëria.

Për këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

Tutje, sipas aktakuzës, Razim Berisha, si pjesëtar i FSK-së, akuzohet për veprat penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 43, par.1 të KRPK-së dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” nga nen 388, par.1 lidhur me par.2, nënpar.2.9 të KPRK-së.

I njëjti thuhet se më 8 nëntor 2014, në Ferizaj kishte pranuar ofertën për përfitim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë -në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, në atë mënyrë që pasi ishte njoftuar nga i pandehuri Enver Franca se zyrtarët policorë në Ferizaj kishin ndalur vajzat që punon në restorantin “Internacional”, i pandehuri ishte takuar me zyrtarët policorë te “Hip Petrol” në Ferizaj me qëllim që të mos dorëzohen në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj.

Po ashtu, i njëjti sipas aktakuzës, më 29 tetor 2014 në orët e hershme të mëngjesit, në Ferizaj kishte pranuar ofertën për përfitim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar – policit M.Rr., në atë mënyrë që pas njoftimit nga i pandehuri Remzi Bislimi se policia e ka ndalur vajzën nga Shqipëria, i pandehuri kishte kontaktuar me personin zyrtar dhe e kishte ndikuar që ta lirojë vajzën nga Shqipëria, e cila të njëjtën ditë kishte udhëtuar për në Zvicër, edhe pse e njëjta ishte dashur të dorëzohej në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj.

Me këtë, akuzohej se në vazhdim kreu veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga nen 431, par.1 të Kodit Penal.

Tutje, sipas aktakuzës, më 18 mars 2015, i akuzuari Razim Berisha i kishte ndihmuar të pandehurit Enver Franca ne shmangien e zbulimit të veprës penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga nen 374, par.1 të KPRK-së, në atë mënyrë që pas kontrollit të zyrtarëve të IPK-së në zyrat e tij në Qendrën e Doktrinës ku punon kishte kërkuar nga një shok i tij që ta lajmëronte bashkëshorten e të pandehurit Enver Franca për largimin e municionit nga banesa dhe të njëjtën ta hedhte në shportën e mbeturinave.

Kështu që, thuhet se pas kontrollit nga inspektorët e FSK-së në banesën e të pandehurit Enver Franca janë sekuestruar 11 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 1 fishek të kalibrit 7.57 mm në shportën ku i kishte hedhur bashkëshortja e tij.

Me këtë, thuhet se kreu veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 388, par.1 lidhur me par.2, nënpar.2.9 të KPRK-së.

Mehdi Gjoshi, akuzohej për marrje të ryshfetit dhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi që si sekretar në Gjimnazin “Gjergj Kastrioiti- Skënderbeu” në Drenas, kishte pranuar si shpërblim në para shumën prej 200 eurove nga Rrahim Elshani, për të lëshuar dokumente zyrtare dublikate të falsifikuara në emër të Fatime Morinës.

Kurse, Fatime Sabedini, akuzohej se për t’u regjistruar në Kolegjin “Fama”, mes datave 25 – 30 nëntor 2014, kishte dorëzuar dokumente të falsifikuar kinse ka të kryer shkollën e mesme në Gjimnazin, “Gjergj Kastrioiti- Skënderbeu” në Drenas.

Me çka, thuhet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398, par.2 të KPRK-së.

I akuzuar për ushtrim ndikimi në këtë rast kishte qenë edhe Isak Smajli, sekretar i Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci”, në Drenas, mirëpo, i njëjti në seancën e 1 nëntorit 2018, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej dhe ndaj tij ishte veçuar procedura.

Ndaj Smajlit, më 14 nëntor 2018, gjykata kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër muaj burgim, por, dënimi me burgim, me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar me gjobë në shumën prej 1 mijë e 500 euro.

Smajli akuzohej se në cilësinë e sekretarit të kësaj shkolle kishte pranuar ofertën nga Enver Franca në shumën prej 800 euro, që të ndikojë te zyrtarët e drejtorisë së shkollës, që t’i lëshohej një diplomë e falsifikuar si dëshmi për t’u avancuar në vendin e punës në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjithashtu, i akuzuari ka qenë edhe profesori i Gjimnazit “Gjergj Kastriot-Skënderbeu” në Drenas, Rrahim Elshani, i cili më 21 mars 2019, është dënuar me dy vjet burgim me kusht, pasi paraprakisht kishte pranuar fajësinë për tri vepra penale ushtrim të ndikimit, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe dhënie të ryshfetit.

Pranimin e fajësisë ai e kishte bërë në seancën që ishte mbajtur më 19 mars 2019. Për veprën e parë, ushtrim i ndikimit, ai është dënuar me një vit burgim, për falsifikim të dokumenteve zyrtare është dënuar me nëntë muaj burg, ndërsa për veprën e tretë, atë të dhënies së ryshfetit është dënim me gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli konform nenit 80 të KPRK-së, për të gjitha këto vepra penale i shqiptoi dënimin unik, në kohëzgjatje prej dy vjetësh burgim, i cili dënim atij nuk do t’i ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej dy vjetësh ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre.

Elshani akuzohej se gjatë vitit 2015, si profesor i Gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, në Drenas, kishte pranuar ofertën për përfitim pasuror, në atë mënyrë që pas bisedës me të pandehurin Enver Franca, kishte pranuar ofertën në para në shumën prej 800 euro, që të ndikonte te zyrtarët e drejtorisë së shkollës së mesme profesionale “Fehmi Lladrovci”, në Drenas, që t’i lëshohej një diplomë e falsifikuar në emër të Enver Francës.

Të ngjashme