Apeli zbut dënimet ndaj grupit të njohur si rasti “Rolex”

Prishtinë | 06 Sht 2016 | 14:37 | Nga

Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vendosur në bazë të ankesave te palëve, ka ulur dënimet për një grup të akuzuarish, në të ashtuquajturin rasti “Rolex”.

Kështu të akuzuarin A.S., i cili nga gjykata e shkallës se parë ishte dënuar me 12 vjet burgim dhe 12 mijë e 500 euro gjobë, për veprën penale krim i organizuar nga neni 283 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale të grabitjes, nga neni 329, i të njëjtit kod, Apeli e gjykoi me 8 vjet burgim dhe 8 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit G.A. dhe Rr.A. dhe E.G., të dënuar secili veç e veç nga gjykata themelore, për të njëjtat vepra, me nga 11 vjet burgim dhe 12 mijë e 500 uro gjobë, Gjykata e Apelit i dënoi me nga 7 vjet burgim dhe nga 7 mijë euro gjobë.

Ndërsa të akuzuarin H. G., i cili ishte gjetur fajtor për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armeve, për te cilën vepër ishte dënuar me 3 vjet burgim, kjo
gjykatë e dënoi me 2 vjet burgim.

Kolegji penal prej tre anëtaresh kësaj gjykate, gjeti se gjykata e shkallës se parë ka vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe ka aplikuar drejt ligjin penal, kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor, për veprat e lartcekura. Ndërsa sa i përket vendimit mbi dënim, kolegji vlerësoi se vlerësimi i rrethanave rënduese dhe lehtësuese, lidhur me peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale, gjendjen personale dhe ekonomike, nuk është bërë si duhet.

Si kishte ndodhur vjedhja?

Vjedhja ishte planifikuar mirë dhe ishte paraprirë me misione vëzhgimi nga Kosova në Bahrein. Më 10 shtator të vitit 2013, kryerësit e veprës ishin veshur në fustane ‘burka’ të femrave dhe kishin shkuar në afërsi të qendrës tregtare City Centre Manamana në qytetin e Bahrejnit. Me të arritur aty, ata e kishin sulmuar rojën e sigurisë me spërkatës prej piperi dhe e kishin goditur me shkop druri, ku ai kishte mbetur i palëvizshëm.

Kryerësit e veprës e kishin thyer xhamin prej qelqi të butikut Rolex dhe kishin vazhduar me vjedhjen e shtatëdhjetë orëve të dorës të firmës Rolex dhe nëntë orëve të dorës të firmës Theodore, që arrinin vlerën prej 1.1 milion euro. Të nesërmen, kryerësit e veprës i kishin fshehur shumicën e orëve dhe ishin larguar nga Bahreini.

Hetimet dhe zgjidhja e komplotit filluan pasi që policia e Bahreinit e gjeti veturën me të cilën kishin ikur të dyshuarit. Vetura ishte marrë me qira me pasaportë të falsifikuar. Për fat të mirë, fotografia në pasaportë kishte qenë e vërtetë.

Pas analizimit të video-incizimeve të gjata nga Aeroporti ndërkombëtar i Bahrejnit, autoritetet e kishin identifikuar personin i cili e kishte marrë veturën me qira. Të tjerët u gjetën përmes tij meqë ata ishin duke udhëtuar bashkë. Pasi që shumica e kryerësve të veprës ishin identifikuar si kosovarë, autoritetet e Bahrejnit kishin lëshuar fletarrest ndërkombëtar dhe e kishin kontaktuar Policinë e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme