Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka filluar takimet me përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe komisionet parlamentare.
Apostolova u takua fillimisht me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo tha se janë të vetëdijshme për vështirësitë me të cilat Kosova po përballet, por se ka ardhur koha që vëmendja e plotë të kthehet tek implementimi i kushteve për liberalizimin e vizave.
Sipas saj, BE mbetet e vendosur që Kosova ka edhe dy kritere pa plotësuar sa i përket kësaj çështje. Kjo duke iu përgjigjur deklarimeve të deputetit, Nait Hasani, se këto kushte janë të padrejta.
“Demarkacioni dhe të luftimit të korrupsionit do të mbeten si kusht për liberalizimin e vizave dhe se do të ndihmojnë në plotësimin e këtyre kushteve. Ne jemi këtu me të dy kushtet dhe kjo është e vërteta dhe për tu larguar nga polemika ne do të jemi këtu që t’iu ndihmojmë në plotësimin e këtyre kushteve”.
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani tha se kushtet e përcaktuar nga BE për liberal për demarkacion dhe për luftimin e korrupsionit është i padrejtë. Ai tha se luftimi i korrupsionit duhet të jetë i përhershëm për çdo shtet.
“BE ka dhënë liberalizimin për Ukrainën që është në luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë. BE me këto kushte nuk e ka zgjidh një problem, por e ka shtuar edhe një më shumë. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, por mendoj që heqja e këtyre e kushteve do të thotë hapje e perspektivës evropiane”.
Hasani më tej ka shtuar se ky izolim po i kushton familjeve tona, madje ai ka marrë shembull shtet që kanë marrë liberalizimin si e që kanë konflikte ndërshtetërore.
“Pse vetëm Kosovës ia keni dhënë kushtin e demarkacionit nesër e zgjidhim me Malin e zi. Nesër do të na kërkoni edhe demarkacion me Serbinë. Pse këtë kusht. Ne jemi familje me Malin e zi. Të gjitha kushtet i kemi plotësuar pse me është shtuar demarkacioni. Ukraina nuk ka demarkacion. Me Rusinë por BE ia ka dhënë liberalizimin. Kushti i demarkacionit është kusht politik”.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se agjenda e integrimeve evropiane do të jetë prioritet i kësaj partie e sidomos tash kur kjo parti udhëheq komisionin për integrime evropiane, raporton EO.
“Kemi kënaqësinë që do t të zhvillojmë takimin e parë. Na vjen mirë që ne udhëheqim komisionin për integrimeve evropiane pasi luan një rol të rëndësishëm në implementimin e agjendës për integrimet evropiane. Për neve agjenda evropiane mbetet prioritet jemi të vetëdijshëm për vonesat që janë bërë ato e kanë luajtur një rol në vonesë. Por e kemi dëshmuar me gatishmërinë e gjithë kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes IPA2017. Ne do të gjejmë mundësinë që të kemi një konsensus një dakordim sa më të gjerë mes grupeve sepse për kuvendin agjenda evropiane mbetet prioritet mbi prioritetet”.
Kryetarja e komisionit për integrime evropiane Blerta Deliu-Kodra, njoftoi për prioritetet që komisioni që ajo udhëheq ka për implementim e kushteve të integrimeve evropiane.
“Është e vërtetë që kemi pasur tre muaj vonesë në konstituimin, por unë premtoj se do të përmbushim secilin kriter që do të përafrojë me proceset integruese”, tha ajo.
Qëllimi i takimeve është të kuptohen prioritetet e përbërjes së re të Kuvendit, të informohen deputetët me prioritetet e BE-së për periudhën e ardhshme dhe të diskutohen mënyrat se si BE-ja në Kosovë mund të mbështesë deputetët në zbatimin e reformave që ndërlidhen me agjendën evropiane, raporton Ekonomia Online.