Arbana Xharra, anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës, me një letër të hapur dërguar medieve beogradase, ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve në Serbi për ta lejuar pjesëmarrjen e ish-Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në festivalin “Mirëdita, dobar dan”, ku ishte ftuar që të flasë në promovimin e librit “Dua të më dëgjojnë – Libri i kujtimeve me rrëfimet e grave që i kanë mbijetuar përdhunimit në luftën e fundit në Kosovë”.
Në letrën e saj Xharra është shprehur se politika e sotme e Beogradit zyrtare dëshmon se mentaliteti në Serbi nuk ka ndryshuar nga ai i kohës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Në vijim po ua sjellim tekstin e plotë të letrës së Arbana Xharrës dërguar bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë:
“Serbia mund t’i ndalojë ish-Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën, dhe të tjerët që të flasin në Beograd për krimet e kryera në Kosovë, por ajo nuk mund ta heshtë zërin e viktimave të luftës që kërkojnë drejtësi”.
“Politika e sotme e Beogradit dëshmon se mentaliteti në Serbi nuk ka ndryshuar nga ai i kohës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, me dallimin e vetëm se sot ka një frikë nga izolimi ndërkombëtar i Serbisë”.
“Kurse vetë bashkësia ndërkombëtare po vazhdon ta izolojë Kosovën, edhe pse ne jemi viktima, ndërsa agresorit ajo ia ka hapur derën për negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zyrtarët kosovarë duhet të reagojnë në Bruksel për trajtimin e pabarabartë me shtetet e tjera të Ballkanit”.
“Pse po i jepet kaq shumë fuqi dhe pushtet Vuçiqit, vetëm sepse ata ju kërcënojnë me Rusinë?! Ne nuk e kemi Rusinë sikur që e ka Beogradi, për t’i vendosur kushte Evropës. Ne nuk duhet t’i vendosim kushte Evropës. Ne jemi 10 milionë shqiptarë. Jetojmë në dy shtete e gjysmë. Ne kemi tre milionë vëllezër që jetojnë në Evropë, e ata janë qytetarë shembullorë evropianë, dhe të cilët atje paguajnë taksa”.