Argjentina, “grusht shteti” i Messit me shokë

Prishtinë | 24 Qer 2018 | 12:08 | Nga

Problemet nuk po gjejnë zgjidhje tek Argjentina. Përkundrazi, situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë.

Skuadra nënkampione e botës është futur në një tunel të gjatë, fundin e të cilit nuk po mundet ta gjejë.

Trajneri Sampaoli është vendosur në bankën e të akuzuarve. Futbollistët i janë kthyer kundër, madje kanë kërkuar edhe shkarkimin e menjëhershëm të tij, për të luajtur ndeshjen e fundit “në vetadministrim”, një kërkesë kjo që është refuzuar nga Federata argjentinase e Futbollit.

Sipas zërave që kanë dalë nga Bronnitsy, aty ku bën përgatitjet Argjentina, në krye të këtij rebelimi qëndrojnë dy kapitenët, Lionel Messi e Javier Mascherano, të cilët kërkuan largimin e Sampaolit pasi diktuan edhe disa kushte të tjera për ndeshjen me Nigerinë.

Një prej kërkesave ishte përjashtimi i portierit Caballero, i cili nuk mund të merret më në mbrojtje pas gafës së bërë në ndeshjen me Kroacinë.

Kërkesa e dytë është rikthimi i skemës me 4 mbrojtës, si dhe ai i Biglias dhe Di Marias në formacion. Mbetet për t’u parë se cili prej tyre do të përzgjidhet për ndeshjen e së martës, për të luajtur ndaj Nigerisë.

E vetmja gjë e sigurtë është se Messi e të tjerët do të duhet që të mos flasin shumë dhe të mendojnë më tepër për të shënuar golat e kualifikimit ndaj afrikanëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme