Barazimi 1:1 me Islandën shfaqi një skenar të njohur për Argjentinën: vuajtje për të thyer kundërshtarët që vendosen thellë në mbrojtje dhe gabime të kushtueshme në repartin defensiv.
Argjentina në botëror u kualifikua falë tregolëshit të Lionel Messit ndaj Ekuadorit, por në ndeshjen ndaj Islandës lojtari kryesor argjentinas nuk shfaqi shumë nga potenciali, shkruan sot Koha Ditore.
Messi pati 11 gjuajtje pa ia dal të shënojë ndaj Islandës. Humbi edhe një penallti, ndërsa shifra prej 11 goditjeve pa gol është më e larta për një lojtar në Kupë të Botës, që nga viti 1974.
Derisa Argjentina barazoi 1:1 me Islandën në ndeshjen e parë të Grupit D, Kroacia nuk është dashur të jetë në ditën më të mirë për të fituar 2:0 ndaj Nigerisë dhe për të dalë në krye të grupit. Kroatët, me gjithë telashet e brendshme që i patën, shpresojnë për dy fitore rresht në Kupë të Botës për herë të parë që nga debutimi brilant në vitin 1998. Kroatët vlerësojnë se mesfusha e tyre e mbushur me yje mund të matet pa telashe me atë të Argjentinës dhe janë të vetëdijshëm se fitorja do t’ua siguronte vendin në raundin nokaut.