Arrestimi i rusëve të dyshuar për spiunazh në Shqipëri, ministrat e BE-së do të diskutojnë çështjen në Pragë

Prishtinë | 22 Gus 2022 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Çështja e rusëve dhe ukrainasit të arrestuar të shtunën në Shqipëri nën akuzën për spiunazh do të diskutohet në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Pragë më 31 gusht, sipas Euractiv.

Njëkohësisht, blloku 27-vendësh po shqyrton daljen me një qëndrim të unifikuar nëse duhet t’u jepen viza afatshkurtra qytetarëve rusë.

“Incidentet në Shqipëri vijnë pas një dileme të vazhdueshme të vendeve të BE-s nëse duhet ‘t’u binden’ thirrjeve të Ukrainës për të ndaluar hyrjen e turistëve rusë në bllok”, shkruan Euroactiv.

Letonia, Lituania dhe Polonia ndaluan lëshimin e vizave të reja turistike menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Finlanda njoftoi javën e kaluar se do të kufizojë numrin e vizave në vetëm 10 për qind të rasteve. Vendet e tjera të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Portugalinë, janë të rezervuar në lëshimin e vizave.

Shqipëria, nga ana tjetër, mori vendimin që të lëshojë viza turistike për rusët, në mënyrë që sa më shumë turistë të vizitojnë vendin.

Ukrainasi Mikhail Zorin, 23-vjeç, me pasaportë ruse, bashkë me 33-vjeçaren Svetlana Timofeeva dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Ata u arrestuan menjëherë pas sulmit ndaj dy ushtarëve në ish-Uzinën e Armëve në Gramsh, pasi donin të futeshin brenda ndërsa nuk lejohet. Veta ata thonë se janë blogerë e fotografë dhe mohojnë akuzat. Dy ushtarët kanë lënë spitalin në gjendje të mirë shëndetësore. 

Të ngjashme