Arrestimi i Blerim Ramadanit nuk duhet të na befasojë. Gordanovska dhe koalicioni qeverisës i VMRO +, po përmbush zotimin elektoral. Nuk duhet të befasohemi as edhe nëse ditët në vazhdim do të kemi të arrestuar edhe të tjerë, me siguri edhe të vetë Ali Ahmetit – Komandant Abazit, si kreu i bërjes dhe organizimit të luftës së UÇK kudo ku shqiptarët luftuan kundër regjimit komunist jugosllav.
Shqetësimin duhet ta adresojmë te kryeministri Kurti, i cili gjatë fushatës elektorale dhe bekimit të koalicionit “VLEN”, deklaronte se LVV atje “do i mbrojë të drejtat e shqiptarëve”.
E nëse është program që të arrestohen veteranët e luftës në shtetet fqinje siç është Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, ku shqiptarët janë komunitet shtet formues, sipas ligjeve e kërkesave, dhe në marrëveshje me Serbinë, ndaj kësaj qasjeje duhet një organizim politik e diplomatik ndryshe. Nëse kështu mendon kjo qeveri dhe LVV në Maqedoninë Veriore, si VLEN, atëherë të na thonë se e kanë program zvogëlimin e veteranëve të luftës së UÇK, edhe në këtë formë pra me arrestime gjatë “lëvizjes së lirë” nëpër territoret e shteteve fqinje, me të cilat jemi nënshkrues të dokumenteve ndërkombëtare që kodifikojnë këto liri e të drejta. Duhet theksuar këtu marrëveshjet në mes Kurtit e Vuçiq me reformatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut dhe nismës së Edi Ramës e Vuçiq për “Open Ballkan”, në emër të katër lirive.
Nëse ketë qëllim kanë këto kolaborime, atëherë edhe ne si veteranë, aq sa jemi realisht, të gjithë po ja mësyjmë Maqedonisë, të na burgosin me kërkesën e Serbisë, dhe kështu qeverinë Kurti e kursejmë nga debatet diletante rreth buxhetit për kategoritë e luftës, ia zvogëlojmë shpenzimet për kujdes ndaj tyre, ndërkohë që e rëndojmë ekonomikisht Maqedoninë e Veriut, se detyrohet të na mbajë në burgje.
Përndryshe, nëse Maqedonia e Veriut, e cila e ka njehur shtetin e pavarur të Kosovës, dhe ndërsjellat Kosova e njeh Maqedoninë, kemi raporte ndërshtetërore në nivel ambasadash, i arreston veteranët e UÇK të Kosovës me fletarrestime të Serbisë, duhet t’ia tërheqim ambasadorin e ta mbyllim ambasadën në Shkup, por edhe ta largojmë ambasadorin e Maqedonisë së Veriut nga këtu (Republika e Kosovës).
E di se kjo është ndesh me zotimin e zotëriut të parë, kur u emërua në ambasadën e Kosovës në Shkup, se “do i tërheqim zvarrë krejt këta të UÇK”. Kjo nuk i pengon, përkundrazi, urrejtjen ndaj UÇK e ka qëllim, e urrejtjen ndaj lirisë detyrë! Por, cila është vlera tjetër që do qëndrojë në piedestalin e nderit dhe themelet e shtetit. Sa mund të shpresohet në zotimin e kryeministrit Kurti se “përmes LVV degës në Maqedoninë e Veriut, do t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve”, kur para ardhjes në pushtet ishte zotuar edhe për “trajtimin e çështjes së grupit të Kumanovës, që së paku ta mbajnë burgun në Kosovë”. E deri më tani nuk ka bërë asnjë përpjekje, dhe në interesimin tim përmes pyetjeve parlamentare, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deklaroi se po pret një vendim të Gjykatës Supreme të MV, e pastaj të përmbushë zotimin i cili ende vazhdon të jetë vetëm deklaratë për efekt elektoral.
Përkundrazi, tani koalicioni qeverisës në MV dhe presidentja pa identitet nacional, e kanë objektiv që e kanë zotuar gjatë fushatës elektorale, arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.