Policia turke ka arrestuar 13 persona në kuadër të një hetimi lidhur me kongresin e vitit 2023 të Partisë Republikane Popullore (CHP), pasi një gjykatë rrëzoi nga posti liderin e partisë opozitare, Ozgur Ozel.
Sipas mediave shtetërore turke, Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit ka bërë të ditur se të dyshuarit janë arrestuar në shtatë provinca nën dyshimet për ndërhyrje në votimin e delegatëve gjatë kongresit të vitit 2023.
Ata përballen me akuza për “shkelje të ligjit mbi partitë politike”, “pranim ryshfeti” dhe “pastrim parash të fituara nga krimi”, thuhet në deklaratë. Operacionet e kontrollit dhe sekuestrimit janë kryer në adresat e të dyshuarve në provincat e Stambollit, Ankarasë, Izmirit, Sanliurfas, Kahramanmaras, Kilis dhe Malatya.
Gjykata e Apelit të enjten anuloi kongresin në të cilin ishte zgjedhur Ozgur Ozel, duke përmendur parregullsi të paspecifikuara. Në vend të tij, gjykata riktheu në detyrë ish-kryetarin Kemal Kilicdaroglu, figurë e njohur politike që kishte humbur zgjedhjet ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Partia Republikane Popullore e dënoi vendimin duke e quajtur një “grusht shteti gjyqësor”, ndërsa Ozel premtoi se do ta luftojë atë përmes ankesave ligjore dhe se do të qëndrojë personalisht “ditë e natë” në selinë e partisë në Ankara.
Sipas analistëve, vendimi i gjykatës shihet si një tregues i ekuilibrit të brishtë të Turqisë mes demokracisë dhe autokracisë, ndërsa mund të zgjasë sundimin 23-vjeçar të Erdoganit, në kohën kur vendi po përballet me sfida ekonomike dhe inflacion të lartë.
Zgjedhjet e ardhshme kombëtare janë planifikuar për vitin 2028, por ato mund të mbahen më herët nëse Erdogan, i cili përballet me kufizime mandati, vendos të kandidojë sërish. Vendimi i gjykatës është parë edhe si rritje e mundësive për zgjedhje të parakohshme.
Qeveria turke ka mohuar akuzat se përdor sistemin gjyqësor kundër rivalëve politikë, duke insistuar se gjyqësori në vend është i pavarur.