Arrestohen Beqiri dhe Nikoliqi, aktivistë të Vetëvendosjes

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 16:28 | Nga

Vetëvendosjes ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë të saj, gjatë seancës gjyqësore që po zhvillohet ndaj katër aktivistëve të tjerë të kësaj lëvizjeje.

“Aktivistët Arianit Beqiri dhe Gerolld Nikoliqi, pjesë e ekipit tonë të mediave, janë arrestuar për shkak se po merrnin pamje nga seanca gjyqësore, e cila ishte e hapur për mediet”, thotë VV.

“Një veprim i tillë, i papranueshëm, është tregues i qartë i bashkëpunimit mes policisë dhe drejtësisë së kapur, me synimin që ta largojnë vëmendjen e publikut sa më shumë nga kjo padrejtësi ndaj Adeas, Atdheut, Egzonit e Frashërit. Pafajësia e tyre është e vërteta rreth këtij rasti, e cila do të merret vesh sado që ky rast të zgjatet dhe përkundër jotransparencës së organeve të drejtësisë”.

VV kërkon lirimin e mënjëhershëm të aktivistëve Arianit Beqiri dhe Gerolld Nikoliqi, sikurse thërret që të hiqet dorë nga ky rast i montuar ndaj katër aktivistëve.

“Përndjekjet ndaj gjithë aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të marrin fund. Ato nuk e ndalin në asnjë mënyrë angazhimin tonë për shtet të së drejtës dhe shoqëri të barabartë”.

Të ngjashme