Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në rajonin e Pejës, pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur armë dhe municion.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur më 19 maj 2026, rreth orës 18:50, në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë. Patrulla policore, gjatë patrullimit, ka ndaluar një person të dyshuar dhe gjatë kontrollit në çantën e tij të krahut ka gjetur një pistoletë, një karikator dhe 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm, të cilat janë sekuestruar, raporton KlanKosova.tv.
Rasti i dytë është regjistruar po atë ditë, rreth orës 22:50, në fshatin Banjë të Istogut. Patrulla policore kishte ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit në bagazh është gjetur një pistoletë me një karikator, shtatë fishekë dhe një sprej OC. Mjete janë sekuestruar nga policia.
Të dyshuarit në të dy rastet janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se në total janë konfiskuar dy pistoleta, dy karikatorë, 24 fishekë dhe një sprej OC.