Arrestohen pesë persona në Kaçanik për tentim të vjedhjes së rëndë

Prishtinë | 01 Shk 2026 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Kaçanik, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “tentim vjedhje e rëndë”, ka bërë të ditur Policia Rajonale e Ferizajt.

Sipas komunikatës, rasti ka ndodhur më 1 shkurt 2026, rreth orës 01:40, kur policia ka pranuar informacion se dy persona po tentonin të thyenin dritaren e një argjendarie në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik.

“Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur dhe arrestuar dy persona të dyshuar, shtetas të Serbisë: M.M. (36 vjeç) dhe D.T. (35 vjeç), të cilët janë kapur në flagrancë duke kryer veprën penale ‘Tentim vjedhje e rëndë’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, rreth të njëjtës kohë, një patrullë tjetër policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar, shtetas kosovarë: L.M. (48 vjeç), B.H. (42 vjeç) dhe R.F. (28 vjeç), të cilët janë shoqëruar në stacion policor.

Në vendin e ngjarjes ka intervenuar Njësia e Hetimeve, e cila ka kryer ekzaminimin e plotë dhe ka konfiskuar mjete të dyshuara për kryerjen e veprës penale.

“Janë konfiskuar një shufër metalike (hebell), dana, çelësa të ndryshëm, kaçavida, një mjet i mprehtë (skalpër), si dhe doreza”, thuhet më tej në komunikatë.

Gjatë kontrollit ndaj të dyshuarve janë gjetur edhe çelësat e një veture të tipit VW Caddy me targa vendore, e cila ishte e parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përkthyesit, ndërsa dy prej tyre kanë pranuar përfshirjen në rast.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”, njofton policia.

Të ngjashme