Arrestohen pesë të mitur për grabitje në një shitore në Gjilan

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Policia në Gjilan ka dhënë detaje lidhur me një grabitje që ka ndodhur me 05 janar 2019, në një shitore në rrugën “Raif Halimi” në Gjilan.

“Gjatë këtij rasti dyshohet se tre persona të maskuar nën kërcënim të armës kishin arritur që të “grabisin”, nga kasa e shitores një shumë të konsiderueshme të hollash që gjendeshin aty”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës , Njësitet e Hetimeve Rajonale, Krimet e Rënda -Gjilan, pas një pune operative hetimore, dhe informatave që kanë grumbulluar në terren për zbardhjen e rasti “Grabitje”, po ashtu kanë zbatuar një urdhëresë me shkrim të lëshuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit-Departamenti i Krimeve të Rënda.

“Gjatë bastisjes, së shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar disa dëshmi të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë rastit të “Grabitjes”. Policia e Kosovës lidhur me rastin ka intervistuar disa dëshmitarë dhe ka grumbulluar prova materiale që besohet se lidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, thuhet se pas arrestimit të pesë personave të dyshuar që të gjithë të mitur shqiptarë shtetas të Kosovës, janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe punëtorëve të Qendrës për punë Sociale , ku janë gjetur prova të qëndrueshme që besohet se të dyshuarit janë të involvuar në veprën penale “Grabitje”.

“Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore-departamenti i Krimeve të Renda në Gjilan tre nga pesë të dyshuarit janë ndaluar për 24 orë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim

Të ngjashme