Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, e asistuar nga njësitet relevante policore të Gjilanit dhe Pejës, me datën 28 korrik 2016 kanë realizuar dy operacione policore që ndërlidhen me veprën penale “trafikim me njerëz neni 171 dhe mundësim apo detyrim në prostitucion”.
Si rezultat i veprimeve policore në dy operacionet policore të realizuara në rajonin e Gjilanit dhe të Pejës janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “trafikim me njerëz dhe mundësim apo detyrim në prostitucion”.
Në rastin e parë të realizuar në rajonin e Gjilanit janë arrestuar dy persona të dyshuar me dyshimin e bazuar për kryerje të veprës penale mundësimi apo detyrimi në prostitucion dhe veprës kundërvajtësee marrje me prostitucion.
Personat e dyshuar të përfshirë në rast janë:
1) V. A. viti i lindjes 1972 m/sh/kosovar
2) V. I. viti i lindjes 1991 f/sh/kosovare
Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari i parë është ndaluar për 48 orë, për veprën penale “mundësim apo detyrim në prostitucion”, ndërsa ndaj të dyshuarës numër dy është bërë kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse (në procedurë të shpejtë) në Gjykatën Themelore në Gjilan/Divizioni për Kundërvajtje, dhe ndaj saj gjyqtari ka shqiptuar dënim me gjobë.
Ndërsa në rastin e dytë të realizuar në rajonin e Pejës është intervistuar viktima e rastit të trafikimit dhe ka rezultuar se e njëjta është trafikuar nga e dyshuara femër D. S. viti i lindjes 1997 f/sh/kosovare.
Viktima është intervistuar në prezencën e mbrojtësit të viktimave dhe punëtorit të qendrës për punë sociale, e cila ka pranuar strehim në strehimore për viktima të trafikimit. E dyshuara është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit mbahet në ndalim policor për 48 orë.