Sanitarja e Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldërvishi nuk ka vepruar e vetme. Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar arrestimin edhe 3 infermierve dhe një tjetër sanitare e spitalit Covid 2, të cilët dyshohet se i kanë marrë para një vajze, duke e mashtruar se po e ndihmonin me kurimin e nënës se saj, e shtruar në këtë spital.
Në pranga janë vendosur infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela dhe sanitarja Rukije Hoxhaj. Skandali i denoncuar nga emisioni Stop, zbuloi se sanitarja Tire Alldërvishi i mori rreth 8 milionë Lekë të vjetra vajzës së një pacientje, duke iu hequr si infermiere.
Sipas Prokurorisë, Tire Alldërvishi ka bashkëpunuar edhe me 3 infermierë të tjerë dhe një kolege të saj, teksa merrte shumat e parave.
“Persona me detyrë infermiere apo sanitare në spitalin “Shefqet Ndroqi” kanë krijuar një skemë të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal që të përfitojnë sa më shumë në kurriz të pacientëve të sëmurë me sëmundjen Covid-19 dhe familjarëve të tyre”, thotë Prokuroria e Tiranës.
Organi i akuzës ka zbardhur takimin e Tire Alldërvishit me vajzën e pacientes në një lokal pranë spitalit Covid2. Tire Alldërvishi ka marrë përsipër duke i kërkuar shumën e lekëve e cila ishte 10.000 për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin. Kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë ditë të pakta që kallëzuesja ka dhënë vetëm 3000 Lekë për infermierët dhe 5000 Lekë për doktoreshën, dhe përpos tyre i jepte listën e ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë./Tv Klan