Policia e Shqipërisë ka arrestuar aktivistin dhe drejtuesin e qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi.
Lajmin për arrestimin e tij e ka bërë të ditur vetë LVV-ja përmes një njoftimi, duke thënë se ky arrestim është i porositur.
“Aktivisti dhe drejtuesi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar nga policia, në rrugë e sipër teksa po shkonte për të marrë pjesë në tubimin paqësor protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky arrestim është tipik i porositur. Arrestimi u krye para se të fillonte tubimi, madje para se Boiken Abazi të mbërrinte në vendin e lajmëruar për tubimin”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Njoftimi i plotë:
Arrestim i porositur e i padrejtë
Aktivisti dhe drejtuesi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar nga policia, në rrugë e sipër teksa po shkonte për të marrë pjesë në tubimin paqësor protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ky arrestim është tipikisht i porositur. Arrestimi u krye para se të fillonte tubimi, madje para se Boiken Abazi të mbërrinte në vendin e lajmëruar për tubimin.
Tubimi paqësor protestues i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU me rastin e vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë synon shtrimin e kërkesave në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufive detarë.
Shënjestrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i Boiken Abazit tregon për një politikë të fëlliqur që po bën qeveria Rama, duke dashur të ofrojë një dhuratë të dhunshme ndaj vizitorit grek.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është për miqësinë e bashkëpunimin mes popujve, për të drejta evropiane për minoritetet, por mbi të gjitha për shtete të drejta e jo diskriminuese. Për sa kohë shteti grek vazhdon politika diskriminuese e armiqësore ndaj shqiptarëve, ne do të vazhdojmë ta themi të vërtetën, edhe duke protestuar, e Rama nuk mund të na ndalë me arrestime të shënjestruara.
Bëjmë thirrje të lirohet Boiken Abazi një orë e më parë, e të dënohen urdhërdhënësit për përndjekjen politike e shënjestrimin që po na bëjnë!