Policia e Kosovës ka arrestuar sot një shtetas kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Luksemburgut.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi i personit me inicialet D.A. është realizuar më 30 tetor, rreth orës 16:30, nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera policore dhe institucionet përkatëse.
I njëjti ishte në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “Vjedhjes”, e cila sanksionohet me Kodin Penal të Luksemburgut.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, personi i arrestuar është dërguar në mbajtje policore për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.