Arrestohet një i dyshuar për pjesëmarrje në vrasje në tentativë në Leposaviq

Prishtinë | 21 Dhj 2025 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda,  ka arrestuar një person në Leposaviq nën dyshimin se ka ndihmuar në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë në tentativë dhe rrëmbim” e ndodhur më 1 nëntor.

Më 20 dhjetor janë kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të një të dyshuari sipas urdhëresës së gjykatës. I dyshuari dyshohet për përfshirje në dhënien e ndihmës në kryerjen e një vepre penale që ka ndodhur më 01.11.2025, ku viktimë ka qenë një mashkull.

Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar prova materiale që mund të lidhen me rastin, përfshirë 9 telefona celularë, 1 laptop, 3 dokumente të formatit A4, 1 pushkë gjuetie me 39 fishekë, 1 jelek për fishekë të armës së gjuetisë dhe 1 tytë arme.

Pas intervistimit nga Policia dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente.

Të ngjashme