Sektorin e arsimit në Kosovë, edhe në vitin 2018, e kanë karakterizuar kritikat e shumta e, po ashtu, edhe dështimet.
Dështimi i vitit llogaritet të jetë përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë EQAR, në muajin shkurt.
Pa EQAR, programet mësimore në Kosovë mund të mos quhen valide nga vendet evropiane.
Në arsyetim e EQAR-it thuhet se shkaku kryesor është shkarkimi i anëtarëve të bordit të kaluar, ani pse puna e tyre ishte e suksesshme.
Bordi ishte shkarkuar nga Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, me kërkesë të kryeministrit Haradinaj.
Për këtë, me kërkesë të VV e LDK-së, ishte mbajtur një seancë për ta gjetur një zgjidhje dhe për ta formuar bordin e ri të kësaj agjencie.
Në seancë, kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryetarin e bordit, Blerim Rexhën, e kishte quajtur “hajn ordiner”.
Nga EQAR, Kosovës iu dha mundësia e riaplikimit. Por, kjo ende nuk u bë.
Edhe Universiteti i Prishtinës u përball me kritika të ndryshme.
Oborri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, shpeshherë u mbush me studentë protestues, për të kërkuar ndryshime rrënjësore.
Ky i fundit u trondit në marsin e 2018-s, kur një ish-studente, Jeta Berisha, 25-vjeçare, publikisht deklaroi se para dy vjetësh ishte sulmuar seksualisht nga një profesor i Fakultetit të Arteve dhe, edhe pse rastin e kishte raportuar në polici, nuk ishte ndërmarrë asgjë.
Nga rektorati u tha se të gjitha shqetësimet, studentët mund t’i deponojnë në formë ankese dhe menaxhmenti do të tentojë të ofrojë zgjidhje.
Protesta në UP pati edhe për avancimet akademike.
Studentët dhe organizatat që monitorojnë punën e UP-së, dyshojnë se profesorët kanë publikuar punime shkencore në revista jokredibile ndërkombëtare.
Por, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Dashamir Bërxulli, ka thënë se janë duku punuar shumë në procesin e avancimeve akademike dhe nuk do të ketë më telashe tjera.
Studentët u ankuan edhe për mosmbajtjen e ligjëratave me kohë nga profesorët dhe mbajtjen e provimeve me asistentë të profesorëve.
Por, edhe universitetet tjera nuk qëndrojnë më mirë. Në Universitetin e Prizrenit, KTV pati raportuar për ankesën në gjykatë të ish-rektorit Ramë Vataj lidhur me konkursin për të parin e UPZ-së.
Në ankesën e tij, Vataj, i cili kishte aplikuar edhe njëherë për të njëjtën pozitë, pati thënë se kishte pasur tendenca të emërohet një person tjetër në këtë detyrë pa pasur kuorumin e Këshillit Drejtues.
Edhe sektori i mesëm e fillor pati dështime të shumta.
Kurrikula për fëmijët e çerdheve dështoi plotësisht ndërsa, në anën tjetër, nuk u hartuan librat për nxënësit e shkollimit fillor, të cilët mësojnë me kurrikulë të re por me libra të vjetër.
Rinor Qehaja ka thënë se, edhe nëse kanë pasur ide për arsimin parauniversitar, ato nuk u dukën gjatë këtij viti.
Ankesa ka shfaqur edhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës. Ymret Reshiti tha se do të mundohen të ndikojnë në krijimin e kabineteve si dhe përfshirjen më të madhe të prindërve në vendimmarrje.
Në anën tjetër, Ministria e Arsimit u zotua se çdo herë do ta mbajë politikën larg këtij sektori. Por, këtë e kanë përgënjeshtruar rreth 30 drejtorët dhe udhëheqësit e divizioneve të ndryshme, të cilët u pezulluan nga puna pa ndonjë arsye konkrete.
Ata mbajtën edhe një protestë para Ministrisë së Arsimit. Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbyesit Civil ka evidentuar shkelje ligjore gjatë shqyrtimit të ankesave të 5 drejtorëve të departamenteve.
Arsimi, shpeshherë, u përball edhe me paralajmërime për greva nga Sindikata e Arsimit e Kosovës.
Greva njëorëshe janë mbajtur disa herë, por SBASHK-u nuk përshkallëzoi veprimet sindikale, ashtu si shpeshherë u deklarua në opinion.