Përurohet libri i kryeakademikut Daci, flet për vështirësitë e krijimit të shtetit të Kosovës

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 12:30 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në përurimin e librit “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, autori akademik Nexhat Daci përmendi edhe çështjen e pamundësisë së të rinjve për të lëvizur të lirë pa viza.

“Një periudhë tepër e vështirë, që është udhëhequr gjatë edhe ekonomia, politika, siguria nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa sot të gjitha shtetet e Ballkanit kanë lëvizje të lirë ndërsa rinia jonë nuk mund të shkojë as për studime pa 1 mijë dokumente”.

Ndër të tjera, akademik Daci theksoi se klasa politike në parlament pas lufte, sipas tij, ka qenë intelektuale dhe se grupet parlamentare kanë bashkëpunuar me kënaqësi, raporton Ekonomia Online.

“Mund të ju them se klasa politike në parlament pas lufte ka qenë aq intelektuale aq shpirtmirë, saqë ka qenë kënaqësi e veçantë të bashkëpunohet me grupet parlamentare të LDK-së dhe të PDK-së, asnjëherë nuk ka ndodhë që në seanca parlamentare të ketë konfrontime të turpshme që janë tani. Gjithçka ka qenë e përqendruar të krijohet një shtet funksional që e duan qytetarët e Kosovës”, tha Daci.

Daci bëri thirrje që të luftohet për realizimin e shtetësisë së plotë të Kosovës.

“Nga akademia duhet të shkojnë porositë që është koha që të luftohet për realizimin e shtetësisë së plotë të Kosovës për qytetarët e saj”.

“T’i kthehemi punës, të shkojmë në seanca parlamentare, sepse paguhen më së shumti dhe rrinë holleve apo kafeterive për të mos e bërë kuorumin. Ti duhet t’ia bësh kuorumin qytetarit tënd, të punosh për të dhe jo për dikë tjetër”.

Kryeakademiku Daci premtoi përkrahjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve për ngritjen e shtetit.

“Akademia do të jetë në përkrahje të plotë të shtetit të Kosovës dhe jo të atyre që duan të rrënojnë”, tha Daci.

Arsim Bajrami, recensent i librit, tha se vetë emërtimi i librit tregon vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar Kosova, raporton EO.

“Ky është emërtimi më adekuat që tregon vështirësitë e Kosovës. Nuk mund të ketë më mirë se ky emërtim. Autori ka pasur rol të rëndësishëm në këtë sukses, tregon pozita te misioni i UNIMIK-ut që ka qenë në Kosovë”, tha Bajrami.

“Libri tregon angazhimin intelektual dhe kombëtar të Dacit që ka pasë në lidhjen e shtetit të Kosovës që kanë qenë vite të turbullirave dhe presionit dhe vetëm një guxim mund ta dërgojë Kosovën në procesin e lindjes”, tha ai.

Bajrami tregoi se në libër përfshihet edhe angazhimi politik i autorit në LDK.

“Libri pasqyron përvojën dhe angazhim politik në LDK duke qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës që ndau vështirësitë dhe problemet e Kosovës”, tha ai.

“Libri ka rëndësi të madhe për edukimin dhe studiuesit në të ardhmen ku përmenden ngjarjet dhe paraqiten detajet dhe momentet e vështira që ka kalu lindja e Kosovës”, tha ai.

Bajrami tha se mesazhi i librit është pasqyrimi real i momenteve kritike që ka kaluar populli i Kosovës.

“Mesazhi i librit është pasqyrimi real i momenteve kritike që ka kalu populli ynë në lindjen e Kosovës. Ky libër duhet të shërbejë si shembull i mirë i klasës politike që ta ruajnë unitetin dhe të shmangin kompromiset e reja që do çonin në dëm të cenimit të integritetit të Kosovës”, tha Bajrami.

Xhyljeta Mushkolaj, recensente, duke folur për librin në fjalë, tha se ky botim pasqyron formën e veçantë të narracionit të revistave e fjalimeve publike, raporton EO.

“Ky botim pasqyron formën e veçantë të narracionit të revistave, fjalimeve publike, fotografi të ngjarjeve të rëndësishme të cilat më mirë mund të përshkruhen se si filluan hapat e parë të demokracisë tek ne”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj tha se ka pak botime ku del në dritë dhe trajtohet lidershipi i Kosovës për shtetndërtimin.

“Për lexuesit e sotëm dhe studiuesit ky libër ofron pasqyrimin e rrethanave ku organizoheshin zgjedhjet në periudhat e kaluara, për fuqinë e votës së lirë përkundër realitetit të vrazhdë”, tha ajo.

Lexo më shumë:

Të ngjashme