“Vienna World Orchestra” në Prishtinë theu kufijtë e ndasive kulturore

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 10:33 | Nga

Tetë muzikantë profesionistë ishin takuar krejt rastësisht në Vjenë. Shumica prej tyre vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Ata dallojnë për nga kombësia, gjuha e kultura. Por muzika i bashkon. E kur muzikantë prej Evropës, Azisë e Amerikës Jugore bëhen bashkë, është e qartë se edhe tingulli i tyre do të jetë aq divers, por në të njëjtën kohë edhe i njëjtë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Bëhet fjalë për ansamblin “Vienna World Orchestra”, që sjell tinguj të cilët vijnë si gërshetim mes jazzit, klasikes dhe asaj që njihet si “world music”.

Mbase nuk është e qartë se cilit zhanër i përkasin, e as që mëtojnë të etiketohen, por ata sjellin kompozime të tyre me aranzhmane të bëra në grup.

Ky ansambël në formacion ka muzikantët austriakë: violinistin Paul Dangel, violinistin Simon Schellnegger dhe bateristin Jorg Mikula, violinistin turk Efe Turumtay, muzikantët iranianë: vokalisten Mahan Mirarab dhe basistin Golnar Shahyar, basistin kuban Ariel Ramierz dhe violonçelisten kosovare Rina Kaçinari.

Ata u bënë pjesë e edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DamFest”. Përveç Kaçinarit dhe Mikula, pjesëtarët e tjerë të ansamblit erdhën për herë të parë në Kosovë dhe interpretuan në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, që të shtunën mbrëma u mbush përplot publik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme