Ai nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë problemeve sociale. Krejt temat që e preokupojnë kanë të bëjnë me të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit.
Në këtë rast nuk përjashton as kafshët, por i ka pikë tejet të dobët fëmijët. Për këtë arsye pjesë e punimeve të tij më së shpeshti janë të vegjlit, shkruan sot Koha Ditore.
Françesko Dinaj (25) i njohur me emrin artistik Franko Dine me prejardhje nga Vlora, por që jeton në Tiranë, ka një lidhje të hershme me artin. Ajo nis qysh prej gjyshit të tij.
“Gjyshi im ka pasur dëshirë pikturën dhe vizatonte, më pas vazhdoi me xhaxhanë, djalin e tij, babanë tim, por të gjithë nuk mundën ta vazhdonin për rrethana nga më të ndryshmet. Unë jam i vetmi që atë dëshirë dhe pasion po e vazhdoj”, thotë ai.
Punimet e tij si artist i rrugës mbajnë edhe vulën identifikuese. Zakonisht në këndin e djathtë ua shkruan “Franko”. Nënshkrimin e tij e mban edhe grafiti fort i njohur në qendër të Tiranës, ku shihen dy vogëlushët njeri i veshur me flamurin e Shqipërisë e tjetri me atë të Kosovës. E realizoi në 103-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar, më 2015. E pagëzoi thjesht “Vëllezërit”, dhe mesazhi ishte i qartë .