Mediat serbe raportojnë se këngëtarja nga Serbia, Svetlana Ražnatoviç, e njohur si Ceca, ka kaluar pa asnjë problem pikën kufitare të Jarinjës.
Koncertin e saj, ajo pritet ta mbajë afër konvikteve të studentëve në veri të Mitrovicës, ani pse kjo u kundërshtua në Kosovë.
Koncertin, siç është raportuar, pritet ta mbajë në mbështetje të protestave të serbëve kundër taksës 100 për qind ndaj mallrave të tyre, që ia ka vënë Qeveria e Kosovës.
Është raportuar po ashtu se Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka kërkuar që asaj t’i ndalohet hyrja pasi s’ka kërkuar për leje paraprakisht.
Kundërshtime të ashpra pati në Kosovë nga fytyra publike të ndryshme.
Së fundmi, dje, deputetja e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu, tha se ardhja e saj është për të promovuar urrejtje e për të goditur plagët e hapura të shqiptarëve.
Madje, ka apeluar te institucionet që të mos lejohet ardhja e saj në Kosovë.
“Në Kosovë nuk po vjen këngëtarja Ceca por bashkëshortja e Kriminelit më të tmerrshëm të historisë tonë të re! Po vjen bashkëshortja e Arkanit që ishte udhëheqës paramilitar dhe vrasës mizor i mijëra shqiptarëve në luftën e Kosovës. Ceca nuk po vjen të prezantoj art në Kosovë por për të promovuar urrejtje e për të goditur në plagët e hapura të shqiptarëve që i shkaktoj bashkëshorti i saj. Kjo është e pa pranueshme dhe e padrejtë andaj unë nuk mund të heshtë. Apeloj te institucionet tona, mos ja hapni plagët popullit, mos lejoni që bashkëshortja e Kriminelit të hyjë në Kosovë!”, ka shkruar Musliu, përcjell Koha.net.