Qeveria komunale e Gjilanit nuk ka projekt për ndërtimin e nënkalimit, i cili do të shërbente për 1 mijë e 800 nxënës të shkollës fillore “Thimi Mitko”, gjersa siguria e këmbësorëve në këtë pjesë të qytetit vazhdon të cenohet nga mjetet motorike. Dëshmi për këtë është aksidenti që ka ndodhur në qendrën e qytetit javën e kaluar, i cili rezultoi me një person të vdekur dhe me 23 të lënduar.
Kamioni, i cili po transportonte mallra, dyshohet se kishte probleme teknike dhe nga pamundësia e frenimit ishte futur në qendër të qytetit, duke goditur fillimisht dy këmbësorë dhe pastaj 10 vetura dhe një rimorkio, shkruan sot Koha Ditore.
Ai kishte përshkuar rrugën kryesore në Qendër të Qytetit, në afërsi të së cilës gjenden institucionet publike, siç janë shkolla “Thimi Mitko”, objekti i administratës komunale, si dhe objekti i Zyrës së kryetarit të Komunës.