As vlerat e luftës së UÇK-së nuk arrijnë t’i bashkojnë deputetët

Prishtinë | 19 Tet 2018 | 13:51 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së ka ngritur dyshimet mbi mekanizmat përmes të cilave do të mbrohen këto vlera.

Fadil Beka propozuesi i projektligjit ka prezantuar qëllimin e tij, raporton EkonomiaOnline.

“Qëllimi është mbrojtja e vlerave të luftës. Përcaktohet çka është vlerë e mbrojtur e luftës lufta e UÇK, ushtria çlirimtare. Parashihet themelimi i ‘Muzeut të Luftës’ në seli në Prishtinë. Parashihen masa ndëshkimore nëse shkelen dispozitat e këtij ligji. Zbatimi i këtij ligji pritet të ketë implikime financiare. Parashihen masat ndëshkimore nëse shkelen dispozitat e këtij ligji,” tha Beka.

“Mbrojtja e vlerave të luftës nuk është e rregulluar me legjislacionin e BE-së, por mbetet sepse secili shtet është i lirë që t’i mbrojë vlerat e veta me legjislacionin e vet. Me këtë mbrohet një nga vlerat kombëtare të të gjitha kohërave.”

Teuta Haxhiu, kryetare e Komisioni për Arsim Shkencë dhe Teknologji tha se projektligji plotëson vlerat e parapara.

“Kemi shqyrtu dhe vlerësojmë se projektligji i plotëson vlerat e parapara dhe ftoj për miratimin e tij,” deklaroi Haxhiu.

Abdyl Salihu nga Grupi Paralamentar i  PDK-së, tha se e përkrahin këtë projektligj.

Ndërsa Driton Çaushi ka ngritur shqetësimin lidhur me atë se si do të njihen dhe mbrohen këto vlera.

“Unë nuk e kam të qartë nëse kemi ardhur në një situatë të tillë, ku për t’i njohur një vlerë sublime na nevojitet një përpjekje e tillë, që të propozojmë të miratojmë një projektligj për të siguruar se këto vlera do të njihen dhe respektohen. A i bjen që deri më tani kemi dështuar?”

“Mendoj që është e qartë që ata që kanë propozuar këtë projektligj, janë ata që kanë dështuar në njohjen dhe respektimin e këtyre vlerave. Cilat janë mekanizmat që e mbrojnë këto vlera”.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ka kërkuar që shqyrtimi i këtij projektligji të shtyhet për një ditë tjetër, kur sipas tij Kuvendi do t’i kthehet rrethanave normale, raporton EO.

“Duke vlerësuar se ky ligj është një ligj që ka seriozitet të vetin, nuk do të duhej të renditej në agjendën e punës së Kuvendit. Edhe për seancën e kaluar pati fjalë dhe llafe sa i përket ligjit për kompleksin memorial nuk do të duhej as ai ligj, as ky ligj, nëse vlerësohen në këtë shkallë të vinin në seancë në këto rrethana, krejt të pa zakonshme për Kuvendin e Kosovës. Konstatojmë që Kuvendi i Kosovës nuk është në rrethana të zakonshme kur opozita nuk është në sallë kur opozita ka probleme me pozitën dhe mazhorancë. Nëse e shihni kaq serioze këtë temë dhe nëse e doni edhe opozitën të jetë në sallë atëherë kërkoj nga sponsorizuesi i debatit ta rendit në një seancë tjetër dhe ne do të japim kontributin tonë.  Mosprezenca jonë nuk ka të bëjë me këtë projektligj, as mos prezenca në seancën e kaluar kur ishte kompleksi. Mos përdorni pastaj këto, se kush nuk është prezent këtu, është kundër vlerave të UÇK-së. Kërkoj mundësitë që në një seancë tjetër të diskutohet kur ka kushte të zakonshme sepse kujtoj se kemi 20 deputetë në sallë”, tha Selimi.

Ndërsa kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, e pranon se parlamenti nuk është i plotë pa opozitën.

“Na jemi në seancë, po ju presim me ardhë sot, nesër, kurdo qoftë. Është e drejtë e sponsorizuesit ta tërheq. Mendoj që deputetët e kanë parasysh çdo propozim që e bëjnë në interes të përgjithshëm dhe në interes të qytetarëve, siç është edhe ky ligj, që po e shqyrtojmë sot. Unë e kuptoj shumë mirë dhe e di që asnjë parlament nuk është i plotë pa opozitën,” deklaroi Haliti.

“Vërtetë mendoj që edhe opozita mbetet keq në qoftë se nuk është prezentë për të debatuar dhe për ta kundërshtuar pozitën. Në votim mund të mos merr pjesë mund të votojë kundër. Është ma mirë për juve, por edhe për neve të gjithëve që të debatojmë”.

Më këtë propozim nuk është pajtuar Teuta Haxhiu.

Ajo ftoi deputetin Rexhep Selimi e kryesuesin Xhavit Haliti që debatet që kanë t’i kryejnë në bufe.

“Kur Vetëvendosje vjen në Kuvend vetëm për t’i mbrojtë ligjet që i ka 100 plagjiaturë. Këtyre ju ka hup rruga në oborr. Mos na malltretoni, dilni në bufe e bëni dialog”.

Ndërsa Zafir Berisha nga NISMA tha se lloj-lloj njeriu është emëruar komandant i UÇK-së.

“Vlerat e UÇK-së mendoj që s’ka Kuvend, lloj-lloj njeri shtyhet në emër të UÇK-së, lloj-lloj njeri është emru komandant, e cka di une. Mendoj që ligji si iniciativë është e mirë duhet me i mishëru gjithë asaj se çfarë ka ndodh apo që mundemi me parashtru që mundet me i ndodh vlerave,” vlerësoi Berisha.

Albert Kinolli nga Grupi 6+ e quajti të vonuar këtë ligj.

“Mendojmë se është i vonuar do të japim kontributin mes dy leximeve.”

 

Të ngjashme