Asambleisti i AAK-së në Suharekë, Besim Kuçi ka dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik.
Ai këtë vendim thotë të ketë marrë pasi që pretendon se nuk po e ka hapësirën e nevojshme për të qenë në shërbim të qytetarëve.
Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë :
Të nderuar qytetarë të Komunës së Therandës, pas një analize që i kam bërë aktivitetit tim të deritanishëm në Asamblenë Komunale, në KPF dhe ngjarjeve të zhvilluara në to dhe rreth tyre, dhe pas një sërë konsultash të bëra me një pjesë të madhe të votuesve dhe bashkëqytetarëve të komunës sonë ,kam arritur në përfundim se më duhet të ndërmarr një hap i cili më jep liri akoma më të madhe dhe më mundëson edhe më shumë aktivitetin tim politik, në mbrojtje të interesave tuaja të ligjshme.
Ky hap është dorëheqja ime nga Asambleja Komunale si dhe nga partia e deritanishme AAK, pjesë e së cilës isha për 15 vite me radhë. Arsyeja e dorëheqjes sime nga partia vjen si pasojë e një procesi të caktuar politik i cili arriti në një stad të atillë me ç’rast në mes botëkuptimeve të mia politike dhe partisë sime të deritanishme u krijua një rrethanë e tillë që zvogëloi tej mase elementet që më mbanin anëtar dhe veprimtar të saj.
Pra sot po e deklaroj neutralitetin tim partiak. Se sa do të zgjasë ky neutralitet varet nga rrethanat politike në Therandë dhe në Kosovë. Por neutraliteti im partiak nuk nënkupton neutralitetin e aktivitetit tim politik, pra të nderuar qytetarë unë do të vazhdoj me ngritjen e zërit në mbrojtje të interesave tuaja të ligjshme, do të vazhdoj aktivitetin tim në shërbim të votuesve të mi, në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të sundimit të ligjit.
Të nderuar bashkëpartiakë të deritanishëm të AAK-së dhe të nderuar kolegë asambleistë ju faleminderit për bashkëpunimin e deritanishëm.
Të nderuar qytetarë të Komunës së Therandës dhe ju votues që më keni besuar votën ju faleminderit për bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe me këtë akt dua tu dëshmoj se politikën nuk e shoh vetëm si një mundësi personale punësimi por si një mision që kërkon mund dhe sakrifice, me të vetmin qëllim dhënien e kontributit në përmirësimin e jetës dhe zhvillimin e demokracisë në vendin tonë!
Me që jemi në prag të vitit të ri më lejoni t’u uroj Gëzuar 2017, me dëshirën që në vendin tonë të ketë më shumë paqe, punësim, arsimim, demokraci e zhvillim!
Ju Faleminderit!