Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeta Dida-Bujari, ka kritikuar menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, duke ngritur akuza edhe për probleme në sistemin e faturimit.
Përmes një postimi në Facebook, Dida-Bujari ka thënë se gjendja me pastërtinë në Prishtinë është përkeqësuar dhe se qytetarët po përballen me deponi të egra, mbeturina në hapësira publike dhe vonesa në grumbullimin e tyre.
“Gjendja me pastërtinë në Prishtinë ka arritur nivelin më të rënduar që kemi parë ndonjëherë. Çdo ditë përballemi me deponi të egra mbeturinash, erë të padurueshme dhe pika grumbullimi që janë kthyer në vatër infeksioni”, ka shkruar ajo.
Sipas asamblistes, përveç problemeve në terren, shqetësuese është edhe mënyra e faturimit për shërbimet e mbeturinave.
“Ka me dhjetëra ndërtesa kolektive që asnjëherë nuk kanë marrë një faturë për shërbimin e mbeturinave, ndërsa në anën tjetër, qytetarëve tani po u dërgohen fatura duplikate për të njëjtin vendbanim”, ka deklaruar Dida-Bujari.
Ajo ka drejtuar gishtin nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe udhëheqësia e Komunës së Prishtinës për situatën, duke e cilësuar atë si pasojë të “papërgjegjësisë” dhe “çoroditjes administrative”.
“Kjo situatë nuk është e rastësishme, por pasojë e drejtpërdrejtë e papërgjegjësisë së Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe udhëheqjes së Komunës së Prishtinës”, ka shkruar ajo.
Dida-Bujari ka kërkuar nga organet përgjegjëse ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes.
“Si asambleiste në Kuvendin Komunal, kërkoj nga digasteri përgjegjës masa të menjëhershme: pastrim dhe dezinfektim urgjent të pikave kritike, shtim të kapaciteteve në terren, si dhe rregullim të menjëhershëm të sistemit të faturimit për të ndalur ngarkimin e paligjshëm e të dyfishtë të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Ajo ka kërkuar gjithashtu llogaridhënie zyrtare dhe hartimin e një plani për tejkalimin e situatës.
“Qytetarët e Prishtinës meritojnë shërbim profesional, mjedis të pastër dhe korrektësi institucionale, e jo kaos, arsyetime dhe fatura të dyfishta”, ka përfunduar Dida-Bujari.
Asamblistja ka publikuar edhe pamje nga Rruga B, për të cilën thotë se prej disa muajsh vazhdon të jetë në gjendje të rënduar.