Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, panë nga afër punimet e asfaltimit të shtresës së dytë në rrugën “Astrit Bytyçi”, me të cilën përfundon edhe realizimi i këtij projekti.
Kjo rrugë që paraqet një arterie të rëndësishme të lidhjeve brenda qytetit dhe daljes në rrugë magjistrale, ka qenë në gjendje të keqe, e dëmtuar dhe e pafinalizuar deri më tani.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe vogëlushi Endri Rexhepi, i cili javë më parë pati shkruar letër Kryetarit të Komunës, Agim Aliu duke paraqitur kërkesën që të rregullohet kjo rrugë dhe të vendosen pengesa për të ulur shpejtësinë e rritur sigurinë e banorëve të zonës.
Kryetari i Ferizajt, pati premtuar në letrën e përgjigjes për vogëlushin Endri Rexhepi, se do ta vizitojë atë dhe do ta plotësojë kërkesën e tij dhe sot të dy bashkë ishin pjesë e inspektimit.
“Unë sot jam me Endrin dhe për t’i premtuar fëmijëve dhe nxënësve tjerë që projekte si ky nuk do të vonohen, nuk do të kenë fatin e këtij projekti, sepse ju e dini që ky projekt është nisur në vitin 2013, dhe është nisur në kohën kur ne e kemi projektuar si projekt dhe për fatin e keq që ka zgjatur shumë”.
“Por më vjen mirë që sot më në fund po përfundon ky projekt, një projekt shumë i rëndësishëm për qytetin e Ferizajt, një projekt shumë i rëndësishëm për këtë zonë, një ndër zonat më urbane të qytetit të Ferizajt”.
Aliu ka bërë të ditur se projekti prej ka gjatësi rrugore afërsisht 2 kilometra në të cilin është punuar në kanalizimin atmosferik, kanalizimin fekal, trotuar, ndriçim dhe një pjesë ku ka qenë e mundur edhe shtegu për çiklistë.
“Pra është me të gjithë parametrat modern dhe infrastrukturën që kërkohet me standard të reja për t’u punuar por më vjen mirë mbi të gjitha që po përfundon një projekt i cili ka pasur një kosto afërsisht 300 mijë euro, por edhe më vjen keq që ka pasur një vonesë të gjatë kohore dhe ky është zotimi ynë pra, që ne do t’i japim projekteve që do t’i zhvillojmë një dinamikë tjetër, një angazhim tjetër mbi të gjitha standarde dhe cilësi krejtësisht tjetër në projektet tona”.
“Më lejoni që duke uruar qytetarët që do ta gëzojnë këtë rrugë, t’iu them, një ndjesë jo pse më takon përgjegjësia mua por një ndjesë sigurisht se do të ishte e mirë t’i kërkohet këtyre banorëve që kanë vuajtuar për afërsisht pesë vite për t’u përfunduar një projekt i tillë”.
Aliu ka ftuar edhe shumë nxënës të tjerë që t’i shkruajnë, që të ngrisin prokupimet, shqetësimet e tyre dhe se si kryetar tha se gjithmonë do të jetë në dispozicion të tyre.
“Endri e gëzofsh rrugën, ne do të punojmë ashtu siç ke kërkuar ti, të ketë siguri në këtë rrugë. E ke edhe një dëshirë për ta plotësuar, shkollën “Gjon Serreçi”, ne do të punojmë që të zhvendosim atë shkollë dhe të jesh në një shkollë ku ka kushte më të mira” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.